Guardiola kaloi orë të tëra duke u përpjekur të bindte Bellingham t’i bashkohej tek Man City

Pep Guardiola kaloi tre orë duke u përpjekur të bindte Jude Bellingham që t’i bashkohej Manchester Cityt përpara se ylli anglez të transferohej tek Real Madrid këtë verë.

Lëvizja e Bellingham nga Borussia Dortmund tek Real Madrid po del të jetë njëri ndër transferimet më të qëlluara të afatit kalimtar veror, por është zbuluar se kishte një dramë në prapaskenë me Cityn që bëri një lëvizje të vonuar për lojtarin, ofertë kjo që përfshinte një shumë të lartë për Dortmundin dhe një pagë më të lartë për lojtarin.

Mediumi spanjoll Cadena Ser raporton se lëvizja e guximshme e Cityt përfshinte një bisedë tre-orëshe midis Guardiola dhe Bellingham, gjatë së cilës trajneri i Cityt u përpoq të bindte mesfushorin se një lëvizje në Ligën Premier do të ishte një opsion më i mirë dhe se City ishte në një fazë më të mirë zhvillimi se sa madrilenët.

Në fund të fundit, Bellingham ishte i vendosur të transferohej në Spanjë pavarësisht ofertës më luksoze të klubit anglez. Guardiola e respektoi vendimin dhe i uroi si Bellinghamit ashtu edhe Real Madridit fat me këtë transferim.

Deri më tash këtë sezon, mesfushori anglez ka dëshmuar se ka aftësi për të lënë gjurmë në historinë e “Los Blancos”, duke qenë vendimtar në shumë ndeshje me gola dhe asistime.

Bellingham do të kërkojë të vazhdojë me formën e tij të lartë, teksa Anglia do të jetë nikoqir i Italisë në “Wembley” të martën në kuadër të kualifikueseve për EURO 2024.