Grupi i plotë, kuqezinjtë kryejnë stërvitjen e fundit në Barcelonë

Grupi i kuqezinjve në Barcelonë është kompletuar mbrëmjen e djeshme me Etrit Berishën, Mario Mitajn dhe Federik Veselin, të cilët ishin të fundit që fluturuan drejt Katalunjës, ndërsa sot skuadra zhvilloi seancën e dytë stërvitore nën drejtimin e trajnerit Reja.

Ky i fundit pati mundësi të rritë intensitetin dhe të verifikojë gjendjen fizike të të gjithë futbollistëve të grumbulluar, ndërsa lajm i mirë është fakti që të askush prej lojtarëve nuk ka shfaqur probleme.

Kjo ishte seanca e dytë dhe e fundit që kuqezinjtë zhvilluan në kompleksin sportiv të klubit të Espanyolit, “Daniel Jarque”, pasi nesër paradite delegacioni i Kombëtares do të niset drejt Andorrës, ku do të kryejë edhe stërvitjen e fundit para ndeshjes së planifikuar për mbrëmjen e të enjtes.

Nesër pasdite është planifikuar edhe konferenca zyrtare për shtyp e trajnerit Edi Reja dhe kapitenit të kuqezinjve, të cilët kanë si objektiv ta nisin edicionin eliminator me një fitore në transfertën ndaj Andorrës.