Grubi në Kuvend: Kapitulli përtej Ohrit nis të shkruhet më 13 gusht 2021

Shkup, 29 Korrik – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem
politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi ishte i
pranishëm në seancën e sotme solemne të Komitetit për marrëdhënie
ndërmjet bashkësive të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të
organizuar në suaza të aktiviteteve për shënimin e 20 vjetorit të
Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Në vijim mund të gjeni fjalimin e plotë të Zëvendëskryeministrit të parë
z. Artan grubi në seancën solemne të Komitetit për marrëdhënie ndërmjet
bashkësive:

Shume i dashur Kryetar i Kuvendit, kryetare e komitetit, të nderuar
deputet, shumë të respektuar ministra, media, qytetarë të dashur.

Nuk e nis dot kapitullin e ardhshëm të jetës pa e mbyllur të fundin. Më
20 nëntor të vitit 2001, Gazeta Zyrtare boton 15 amandamente
kushtetuese, nga dikush të konsideruara heretike, nga të tjerë
profetike. Amandamentet u miratuan nga ky Kuvend, katër ditë më parë, më
16 nëntor 2001.

Kjo foltore, pikërisht kjo këtu, është dëshmitare autentike e kohës dhe
mban mend çdo fjalë të dhënë, çdo përplasje, çdo ngritje zeri, çdo
histeri dhe eufori dhe në fund mban mend edhe shpalljen e rezultatit të
votës përfundimtare për ta ndryshuar Kushtetutën në përputhje me
Marrëveshjen e Ohrit.

Nëse e shifni nga afër dhe në thellësi, kjo foltore dëshmon në mënyrë
skenike grithmat, djersët, ëndrrat, makthet, drojat, hezitimet,
pasigurinë, të rënët, invalidët, familjet e tyre, por në skajet e veta e
shihni edhe sythin e dëshirës që dielli ynë të nis lindjen në perendim,
aty diku në Bruksel, në Uashington, aty ku është më mirë, më ngrohtë, ku
e kemi oxhakun e shtepisë së përbashkët dhe ku ndjehemi si në shtëpi.

Një nga ato 15 amandamentet e shprehura në këtë foltore në nëntorin e
2001-shit themeloi edhe Komitetin për marrëdhënie midis bashkësive si
shtëpia e barazisë, konak i Marrëveshjes së Ohrit, si shembëlltyra e
shoqërisë tonë, si refleksion i rrugëve tona, i kafeve të përbashkëta, i
kalldermave të Çarshisë ku secili nga gurret mban nga një emër dhe ka
peshën e bashkëjteteses ndër shekuj.

Më 10 gusht të vitit 2001, në villën Biljana të Ohrit, pas një muaji
negociatash dhe disa muajsh konflikt, u parafua Marrëveshja e Ohrit. U
nënshkrua me 13 gusht në Shkup.

Dje, një gazetar më pyeti rreth Marrëveshjes së Ohrit dhe përgjigja ime
ishte që vërtet, pjesa normative e marrëveshjes është miratuar, por
zbatimi i saj është i përjetshëm, i përditshëm, në çdo veprim sepse
Kushtetuta dhe ligjet zbatohen çdo ditë, e Marreveshje e Ohrit është
Kushtetutë dhe ligj.

Kjo foltore mban mend edhe zhurmën dhe histerinë për ligjin për ndarjen
teritoriale, për decentralizimin, për simbolet, për universitetin
shtetëror të Tetovës dhe shumë ligje tjera që buruan nga Marrëveshja e
Ohrit, përfshirë edhe debatin për ligjin për përdorimin e gjuhëve në
komisionin për çështje europiane të cilin kisha nderin ta drejtoj gjatë
miratimit të ligjit që rrumbullakësoi pjesën normative të Marrëveshjes
së Ohrit.

Nga kjo foltore i friguam qytetarët se ky vend do të ndahet, se do të
bëhet Shqipëria e madhe, se do ti ndrohet karakteri shtetit, se do të
pushon së ekzistuari ky vend. Shifeni se ku jemi sot, asgjë e keqe nuk i
ndodhi vendit tonë, askush nuk humbi, të gjithë fituan, edhe
maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe romët, edhe turqit, edhe serbët, edhe
vllehët edhe boshnjakët dhe të tjerët.

Fituan të gjithë qytetarët. Fitoi vendi ynë. Sot jemi vend anëtar i
NATOsë dhe me dritë jeshile për fillimin e negociatave me Bashkimin
Europian, sot askush nuk flet për ndarje, por për integrim, sot askush
nuk flet për luftë, por për paqë, askush nuk flet për majorizim, por për
barazi.
Kapitulli i ardhshëm, kapitulli i përtej Ohrit, nis të shkruhet me 13
gusht të vitit 2021. Kush nga ne e ka guximin e 2001-shit, dijen e
2021-shit dhe ëndrrën për 2041-shin, është i thirrur që bashkarisht ta
ndërtojmë këtë vend, euroatlantik dhe të barabartë për të gjithë.