Grubi: Gëzuar 2022, qoftë vit i mbarësisë dhe i sukseseve (Video)

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi ka uruar qytetarët me rastin e festës së ndërrimit të viteve duke ju dëshiruar shëndet dhe mbarësi.

Grubi në urimin e tij ka rikujtuar sfidat dhe të arriturat e vitit 2021 duke i cilësuar si burim frymëzimi për vazhdimin e kapitullit të sukseseve në vitin e ri.

Në vazhdim mesazhi i plotë i Zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi drejtuar qytetarëve:

Të nderuar bashkëqytetarë,

Përshëndetje nga familja ime në këtë fundvit me uratat që kjo porosi dashamirëse nga ne t’ju gjejë mirë e shendosh në vatrën tuaj familjare.

Po lëmë pas vetes një vit me vështirësi, por edhe me shumë suksese të cilat na frymëzojnë për ta vulosur kapitullin e të arriturave më të mëdha kombëtare e shtetërore në tre dekadat e shtetit tonë.

Së bashku u përballëm me shumë guxim dhe ndërgjegjshmëri me pandeminë duke mbrojtur shëndetin tonë dhe siguruam vaksina për të gjithë.

Qëndruam bashkë afër njëri tjetrit duke bashkëndjerë dhimbjen për humbjen e bashkëqytetarëve tanë nga virusi dhe tragjeditë që na tronditën të gjithëve, lutjet tona i dedikohen viktimave dhe familjeve të tyre.

Vitin që po lëmë pas e nisëm në shtëpinë tonë të re, i sistemuam dhe avancuam administratorët, njohëm fakultetet dhe rritëm rrogat, shënuam bashkë 20 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit në mënyrë spektakolare, Korridori 8 u konfirmua tërësisht, bëmë Malin Sharr park nacional, menaxhuam krizën energjetike dhe ekonomike, investuam në infrastrukturën komunale dhe i fituam zgjedhjet lokale.

Por, sonte kemi festë, Epiri, Juna, Hera, Albina dhe unë nga zemra ju urojmë shëndet, mbarësi dhe begati të gjithë juve me uratat më të sinqerta për vit të suksesshëm! Ju faleminderit për besimin dhe Gëzuar!