Grubi dhe Bajrami sërish në bankën e të akuzuarve, vazhdon gjyqi për “Lotarinë”

Në Gjykatën Penale në Shkup sot ka vazhduar gjykimi për rastin “Lotaria”, ku të akuzuar janë ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami njofton INA.

Seanca e sotme vijon me paraqitjen e provave materiale të Prokurorisë Publike.

Përveç Grubit dhe Bajramit, në këtë rast akuzohen edhe Metodija Dimevski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski, Aleksandar Dimitrioski dhe Bashkim Avdiu.

Në seancat e mëparshme, të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria ka paralajmëruar se gjatë procesit do të paraqiten gjithsej 231 prova materiale, disa ekspertiza, si dhe do të dëgjohen shtatë dëshmitarë.

Aktakuza, të cilën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, lidhet me veprime të pretenduara të ndërmarra gjatë viteve 2023 dhe 2024, përmes të cilave, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat zyrtare dhe i kanë shkaktuar dëm Lotarisë Shtetërore në vlerë prej 9.7 milionë eurosh.

Gjatë hetimit, vepra fillestare për të cilën ndiqeshin të akuzuarit, “përvetësim”, është rikualifikuar në “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”. Sipas Prokurorisë, hetimi nuk kishte siguruar prova të mjaftueshme për veprën e përvetësimit.

Për veprën “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” parashihet dënim me burgim prej një deri në pesë vjet.

Procesi gjyqësor është në vazhdim./INA/