Gripi sezonal, shënohen 1600 raste të reja

1600 raste të reja me grip janë regjistruar gjatë javës së fundit të këtij muaji, numër ky i cili është për 45% më i lartë krahasuar me një javë më parë. Qytetet me më shumë raste me grip rezultojnë Shkupi dhe Dibra, ndërkohë raste me grip për këtë javë janë regjistruar edhe në 22 qytete tjera të vendit.

Numri i rasteve të regjistruara këtë javë, është për 2,5 herë më i lartë se krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, ndërsa numri i rasteve të regjistruar këtë javë është mbi kufirin javor sezonal të gripit. Sa i përket grup moshave të prekura nga gripi edhe këtë javë mosha nga 15-64 vjeç rezultojnë më të prekura”-thonë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Mjekët rekomandojnë që të shmangen kontaktet me të prekurit nga gripi sezonal.

Për shkak të temperaturave të ulëta, njerëzit qëndrojnë më shumë në ambiente të mbyllura brenda, janë më afër njëri tjetrit dhe kjo është një ndër shkaqet që rritet numri i të infektuarve nga gripi. Infeksioni bartet nga njëri tjetri shumë shpejtë për shkak të afërsisë me njëri tjetrin ndërsa inkubacioni shkon deri tre ditë. Masat të cilat duhet të ndërmerren, së pari është qëndrimi larg atyre që janë me grip mos kenë kontakt të afërt, duhet të punojnë në ngritjen e imunitetit, duhet ta kenë ushqimin e rregullt, të pinë më shumë lëngje, të marrin vitamina, të mos qëndrojnë në hapësira të mbyllura”-theksoi Melihate Bekteshi, mjeke.

Këtë sezon numri total i rasteve me grip ka arritur në 4,318. Vaksinimi mbetet masa më efikase që mjekët rekomandojnë kundër gripit, posaçërisht për grupet e rrezikuara si të sëmurët kronik, gratë shtatzëna si dhe fëmijët e vegjël./Alsat