Greqi, për një javë arrestohen 194 persona për shkelje të masave parandaluese për koronavirusin

Për shkelje të masave parandaluese për parandalimin e koronavirusit në Greqi për një javë janë arrestuar 194 persona, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Policia greke, të enjten e kaluar filloi me kontrolle intensive, ndërsa shkelje ishin regjistruar në lidhje me ndalesat, vendimet dhe kufizimet në sallonet e ondulimit, furrat, ëmbëltoret, dyqanet për veshje, kafenetë, restorantet, tavernat, dyqanet për lule, terrene sportive etj.

Sipas të dhënave të policisë greke, shkelje kanë ndodhur në të gjithë Greqinë, ndërsa numri më i madh i të regjistruarve janë në zonën Atika, rajonit më të gjerë të Athinës (74).

Gjatë ditës së djeshme, për 17 shkelje, janë arrestuar 20 persona, ndërsa nga policia greke thonë se “kontrollet do të vazhdojnë me intensitet me qëllim që të mbrohet shëndeti publik”.