Grenell rithekson kërkesën që Kosova të heqë tarifat ndaj Serbisë

Ambasadori amerikan, Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, tha sërish të premten se tarifat ndaj mallrave serbe, duhet të hiqen.

Në një postim, në rrjetin social, twitter, ambasadori Grenell i është drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli duke shkruar “Kadri, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Kosova të heqë tarifat 100%. Ato dëmtojnë Kosovën dhe pengojnë bizneset në krijimin e vendeve të punës. Albini ka të drejtë për këtë”, ka shkruar Grenell.

Reagimi i ambasadori Grenell pasoi debatet që nxiti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili paralajmëroi heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe zëvendësimin e tyre me masat e reciprocitetit të plotë më Serbinë.

Të enjten edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i bëri thirrje kryeministrit Kurti që “të mos ngutet” me tarifat.

“Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, shkroi zoti Veseli në rrjetet sociale.

Ndërkaq ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një letër të hapur drejtuar kryeministrit Albin Kurti, i bëri thirrje që të mos heqë tarifat ndaj mallrave serbe të vendosura në vjeshtën e vitit 2018, të cilat u pasuan me pezullimin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

“Albin, mos e lejo tregun e fitimit të mbi 400 milionë Euro-ve për Serbinë, shtetin i cili të ka rrahur e të ka torturuar. Shtetin, që me paratë e popullit të Kosovës blenë armë në Rusi. Të lutem, mos e kamuflo këtë vendim sovran me terme të mjegullta siç është “reciprociteti”. Mos e hjek taksën Albin. Mos u tërhiq për disa poena të përkohshëm që mund t’i fitosh nga bashkësia ndërkombëtare. Miku që është mik i vërtetë të don e të ndihmon me lavd, por edhe me kritika. Nëse nuk jemi të zotët e vetes nuk na don as miku”, shkroi ai.