Gratë pa shami në krah të regjimit, nacionalizmi i ri që po ndërton Irani

Në Iran po shfaqet një formë e re nacionalizmi që synon të bashkojë mbështetësit dhe kundërshtarët e regjimit përballë kërcënimeve të jashtme. Qeveria dhe aleatët e saj po përdorin imazhe më gjithëpërfshirëse, përfshirë gra pa mbulesë, për të treguar unitet kombëtar. Megjithatë, shoqëria mbetet thellësisht e ndarë pas protestave, luftës dhe krizës ekonomike. Kritikët thonë se ky imazh i bashkimit fsheh tensione të thella dhe shtypje të vazhdueshme.
(NYT) – Mbështetësit e qeverisë po shfaqin lidhje të reja me ish-disidentë të supozuar, në një përpjekje për të treguar se mund t’u bëjnë ballë armiqve si brenda Iranit ashtu edhe jashtë tij.

E veshur me një bluzë rozë dhe xhinse të zbardhura, gruaja e re në video nuk dukej aspak si një mbështetëse e devotshme e regjimit klerikal të Iranit, ndërsa qëndronte pranë një turme grash të mbuluara me të zeza nga koka deri te këmbët. Pikërisht ky ishte edhe qëllimi.

Me flokët e lëshuar mbi supe, ajo dha një dëshmi para kamerës.

“Unë nuk isha mbështetëse e Republikës Islamike, as e liderit suprem”, i tha ajo regjisorit pro-qeveritar, Hossein Shamaghdari, i cili e publikoi bisedën e tyre online.

Pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në shkurt, ajo tha se filloi të admirojë forcat e ashpra të Iranit, ndërsa ato luftonin kundër dy prej ushtrive më të fuqishme në botë.

“Nëse Gardat Revolucionare dhe Basijët nuk do të kishin luftuar, ne nuk do të ishim ende këtu”, tha ajo, duke mbajtur lotët dhe duke lavdëruar pikërisht forcat që dikur kishin shtypur gratë pa shami dhe protestuesit. “Po kujtoj fillimin e luftës dhe po i rishikoj mendimet e mia për Republikën Islamike”.

Gruaja nuk identifikohet në video dhe nuk është e qartë se kush është ajo, e aq më pak nëse ajo me të vërtetë ka ndryshuar mendim për qeverinë autoritare të Iranit. Megjithatë, ajo që bie në sy në video është shfaqja e një lloji të ri nacionalizmi që qeveria e Iranit dhe mbështetësit e saj po e formësojnë. Një nacionalizëm që përfshin edhe ata që dikur ishin kundër saj.

Duke mbijetuar jo vetëm luftën, por edhe duke dalë më e fortë në negociatat e paqes, qeveria e Iranit është ndier më e fuqizuar. Megjithatë, përpara vendit qëndron një sfidë e vështirë, ndërsa ai përballet me krizë ekonomike gjithnjë e më të thellë dhe një shoqëri ende të ndarë pas protestave antiqeveritare që tronditën vendin pak para luftës.

Për të shmangur këto sfida, qeveria iraniane po shfrytëzon zemërimin publik për sulmet e huaja ndaj vendit. Shteti dhe mbështetësit e tij po projektojnë një imazh uniteti që besojnë se mund të arrijë edhe grupe përtej bazës së tyre të fortë mbështetëse.

Mesazhi i tyre është se mbështetësit e regjimit dhe kundërshtarët mund të gjejnë gjuhë të përbashkët përballë agresionit të huaj. Ata synojnë të paraqesin një fytyrë më të butë dhe më përfshirëse të regjimit – edhe pse ai vazhdon të shtypë kritikët, duke konfiskuar prona dhe duke ekzekutuar njerëz me një ritëm më të lartë se në dekada, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut.

Për javë të tëra, mbështetës të qeverisë kanë publikuar video online që pretendojnë se tregojnë ish-protestues duke thënë se, pas luftës, “nuk ka alternativë” ndaj Republikës Islamike. Të tjera video shfaqin të rinj me piercing – dikur të kritikuar nga qeveria teokratike – që shprehin admirimin e tyre për liderin e ri suprem, Ayatollah Mojtaba Khamenei.

Simbol i sfidës ndaj regjimit

Është e pamundur të dihet sa të sinqerta janë këto ndjenja, por në video e foto nuk ka shenja të dukshme detyrimi, dhe shumë iranianë liberalë kanë shprehur kundërshtim të fortë ndaj luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.

Ndoshta më befasueset janë videot e këtij lloji të realizuara nga z. Shamaghdari, ku shfaqen gra pa shami, shpesh të paraqitura si simbol i sfidës ndaj regjimit.

Mbajtja e shamisë është ende kërkesë ligjore në Iran, dhe gratë mund të arrestohen ose ndëshkohen për mosrespektimin e saj. Javën e kaluar, këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi u dënua me 74 goditje me kamxhik për performancë pa shami në një koncert në vitin 2024, sipas një organizate për të drejtat e njeriut.

Megjithatë, shumë gra sot e shkelin hapur këtë rregull, dhe gratë pa shami janë bërë pamje e zakonshme në rrugët e Teheranit dhe në qytete e fshatra të tjera. Por kjo nuk ishte kurrë e pranishme në mediat shtetërore – deri tani.

“Për dekada të tëra, shamia e detyrueshme ka qenë një nga vijat më të thella ndarëse mes mbështetësve të Republikës Islamike dhe kundërshtarëve të saj”, tha Omid Memarian, analist për Iranin në DAWN, një institut me bazë në Uashington që fokusohet në Lindjen e Mesme.

Në të kaluarën, qëndrimi i iranianëve ndaj hixhabit të detyrueshëm shpesh pasqyronte pikëpamjet e tyre mbi liritë shoqërore, tha ai, por tani mbështetësit e regjimit janë të gatshëm t’i anashkalojnë dallimet me ata që qëndrojnë në anën e tyre kundër luftës.

“Pas luftës, vijat kryesore politike dhe shoqërore të vendit ndryshuan”, tha Memarian.

Ky mesazh bie në kontrast të fortë me imazhet e grave që ishin të zakonshme gjatë Luftës Iran–Irak në vitet ‘80, tha Memarian, kur gratë me mbulesë përfaqësonin idealin e devotshmërisë dhe sakrificës revolucionare.

With temperatures hitting 95°F, this is the mini air conditioner everyone’s buying in the U.S
News of the Discovery
Gjatë luftës së fundit, televizioni shtetëror ka shfaqur parada ushtarake me gra, ku shihen armë dhe automjete të ngjyrosur me ngjyrë rozë.

Edhe më të përhapura kanë qenë imazhet e grave pa mbulesë në tubimet pro-qeveritare. Disa mbështetës të regjimit e kanë theksuar praninë e tyre si shenjë të pajtimit kombëtar pas shtypjes së dhunshme të protestave të janarit, të cilat lanë mijëra të vdekur.

“Ne kemi qenë të padrejtë ndaj këtyre njerëzve”, shkroi Amir Taha Hussein Khan, një komentator pro-qeveritar, në një postim në rrjetet sociale, së bashku me imazhe të grave pa mbulesë në tubimet pro-qeveritare. “Sot, këta njerëz, me gjithë qenien e tyre, qëndrojnë pa ego kundër armikut”.

Disa iranianë të intervistuar nga “The Times” shprehën dyshime se jo të gjithë pjesëmarrësit në këto tubime ishin aty me bindje të sinqertë, duke argumentuar se ndonjëherë ofroheshin ushqime falas dhe para në këmbim të pjesëmarrjes. Këto pretendime nuk u verifikuan në mënyrë të pavarur.

Sidoqoftë, kritikët thonë se këto imazhe tregojnë hipokrizi të qeverisë.

“Ata duan ta përdorin mungesën e hixhabit për përfitimin e tyre”, tha Maryam, një banore e Teheranit që kërkoi të mos identifikohej me emrin e plotë për shkak të frikës nga ndëshkimi. “Papritur, përballë luftës, regjimi thotë se jemi të gjithë iranianë”.

Disa kritikë kanë publikuar në internet imazhe të grave pa mbulesë në tubimet e fundit, krahas fotografive të Mahsa Aminit, një grua e re që vdiq në paraburgim në vitin 2022, pasi ishte ndaluar për shkak të akuzave për veshje të papërshtatshme. Vdekja e saj ndezi lëvizjen “Gratë, Jeta, Liria”, kur gratë hoqën mbulesat dhe dolën në protesta masive.

Bashkimi i shoqërisë

Qeveria ka promovuar herë pas here imazhe të grave pa mbulesë edhe në të kaluarën, zakonisht në tubime shtetërore pas periudhave të pakënaqësisë, tha Shima Tadris, e cila studion lëvizjet e të drejtave të grave iraniane në Institutin “Gerda Henkel” në Gjermani.

Kjo ndodhi pas protestave të janarit, shtoi ajo, dhe u bë më e përhapur gjatë luftës, sepse krijonte përshtypjen e një mbështetjeje të gjerë për qeverinë.

Në të njëjtën kohë, Tadris tha se qeveria synon të demoralizojë protestuesit e janarit që e vendosën udhëheqjen iraniane në një nga momentet më të brishta që nga revolucioni i vitit 1979. Republika Islamike, sipas saj, dëshiron t’u dërgojë protestuesve mesazhin: “Ju jeni ata që jeni vetëm; gjithnjë e më shumë njerëz po bashkohen me ne”.

Përpjekjet për të promovuar unitetin kombëtar vijnë në një kohë kur shoqëria iraniane ndihet më e fragmentuar se kurrë.

Para luftës, iranianët ishin kryesisht të ndarë në dy kampe: pro dhe kundër qeverisë, tha Naghmeh Sohrabi, historiane e Lindjes së Mesme në Universitetin Brandeis.

Që nga ajo kohë, opozita është ndarë në ata që mbështesin një luftë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara me shpresën për rrëzimin e qeverisë, dhe ata që e kundërshtojnë atë, nga frika e shkatërrimit që sjell. Edhe mbështetësit e qeverisë janë të ndarë: disa duan vazhdimin e luftës, ndërsa të tjerë kërkojnë negociata për të arritur një marrëveshje për ta përfunduar atë.

“Çfarë po ndodh në terren është kjo copëzim i shoqërisë në një nivel shumë të thellë”, tha ajo. “Pyetja për ta është si mund ta bashkosh sërish shoqërinë?”

Roya Khoshnevis, akademike dhe analiste kulturore me bazë në Teheran, tha se, megjithëse këto ndarje nuk mund të shërohen me retorikë nacionaliste, ekziston një ndjenjë krenarie kolektive për mbijetesën gjatë luftës.

“Njerëzit nuk ndihen domosdoshmërisht më të bashkuar”, tha ajo. “Pavarësisht veprimeve të gabuara që Republika Islamike ka marrë ndaj popullit të saj prej vitesh, si shumë iranianë, unë jam krenare për sa të fortë janë dukur”.

Disa aktivistë shqetësohen se shteti nuk do të jetë më aq i butë pasi kërcënimi i luftës të ulet, tha studiuesja Tadris.

Muajin e kaluar, gjyqësori iranian thirri në hetim redaktorin e agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA për një seri fotografish ku shfaqeshin imazhe të një gruaje pa mbulesë brenda shtëpisë së saj. Megjithatë, ishte presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ai që doli ta mbrojë atë.

“Po ato gra që ata thonë se një ditë duhet të arrestohen, ju i keni treguar duke mbajtur fotografi të udhëheqësit suprem”, tha Pezeshkian gjatë një interviste për transmetuesin shtetëror iranian. “Duhet të pranojmë dallimet dhe të mos i shohim ato si armiqësi”.