Dy të rinj kanë grabitur dhe dhunuar shtetasin Naim Musai, babai i Besnik Musait, ish-shoferit të biznesmenit Ylvi Beqja.
Ngjarja është regjistruar pasditen e së shtunës në lagjen numër 13 të Durrësit, e njohur ndryshe si zona e “Rrotës së Kuqe” në Plazh.
Naim Musai është sulmuar nga dy të rinjtë, të cilët e kanë goditur dhe më pas zhvatur çantën, brenda së cilës kishte 1.5 milionë lekë të vjetër e 275 euro. Musai ushtron aktivitetin si kambist ambulant në Durrës, duke punuar në të zezë.
Ai aktivitetin e tij e zhvillon kryesisht në zonën e plazhit, pranë vendit të njohur si “Rrota e Kuqe”, vend ku edhe ndodhi ngjarja. Mësohet se Naim Musai është babai i Besnik Musait, tashmë nën mbrojtje nga Policia dhe Prokuroria, që dëshmoi në favor të akuzave të ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kundër Emiljano Shullazit, për sa u përket konflikteve që Shullazi ka pasur me biznesmenin Ylvi Beqja.
SULMI
Naim Musai është sulmuar fizikisht nga dy persona ende të paidentifikuar, të cilët e dhunuan duke e dëmtuar në kokë, fytyrë dhe trup, ndërsa më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Sulmi ka ndodhur në një zonë ku kishte me dhjetëra qytetarë, por që e kanë pasur të pamundur të ndërhynin, pasi sulmi ishte shumë i befasishëm.
“Më datë 18.01.2020, në lagjen nr.13, Durrës, persona të paidentifikuar i kanë vjedhur me dhunë çantën me 250 euro dhe 150.000 lekë, shtetasit N. M., 62 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën ‘Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim’, tha Policia, e cila ka nisur hetimet për identifikimin e dy autorëve. Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën se bëhet fjalë për dy persona, relativisht të moshës nga 20 deri në 30 vjeç.
Të njëjtat burime thonë se kemi të bëjmë me një grabitje të pastër dhe jo me një hakmarrje në lidhje me të birin, që ishte ish-shoferi i biznesmenit Ylvi Beqja dhe që rezulton të jetë person i mbrojtur nga Policia dhe Prokuroria.
DENONCIMI
Menjëherë pas sulmit, Naim Musai i është drejtuar Policisë për të bërë denoncimin. Teksa ka treguar me detaje sulmin e befasishëm, Musai ka deklaruar se në çantë kishte 1.5 milionë lekë të vjetër e 275 euro, me të cilat ushtronte aktivitetin ditor të këmbimit valutor.
“Dy persona, të cilët nuk i kisha parë më parë, më sulmuan. Më dhunuan duke më goditur në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas më zhvatën edhe çantën që kisha me vete. Brenda në çantë kisha 1.5 milionë lekë të vjetër e 275 euro, me të cilat punova gjatë ditës. Gjithçka ndodhi në pak minuta. Nuk i vura re fare. Ata u afruan dhe më goditën befasisht, duke mos më folur fare me gojë. Fillimisht më goditi njëri prej tyre me grusht në bark, unë mbajta fort çantën, por e lëshova pasi nisën të më godisnin pa pushim të dy. Më zhvatën çantën dhe u larguan me shpejtësi. Nuk arrita t’i identifikoja”, deklaroi ndër të tjera për grupin hetimor Naim Musai, i cili u sulmua nga dy të rinjtë pasditen e së shtunës në zonën e Plazhit në Durrës.
PANORAMA