Sasia e paraparë e vaksinave falas (1.040) kundër gripit për rajonin e Gostivarit u harxhua para fundit të vitit, informojnë nga sektori epidemiologjik i Qendrës për Shëndet Publik-Gostivar. Për mbrojtjen nga kjo sëmundje virusale në disponim janë të ashtuquajturat vaksina komerciale, të cilat kushtojnë nga 650 denarë.
Jehona e qytetarëve, sipas dr. Vojisllav Ognjanovski ka qenë në nivel të lartë dhe pesë kategoritë të cilat janë përfshirë me “termini im”: fëmijë të moshës prej 6 muaj deri 5 vjeç, gra shtatzëna, persona mbi 65 vjeç, persona me sëmundje kronike dhe punëtorët në shëndetësi, i kanë marrë vaksinat.
“Dëshiroj të theksoj se vaksina ka dhe qytetarët mund të vaksinohen. Nuk është vonë dhe ky paragjykim duhet të tejkalohet, pasi mbrojtja më e mirë kundër gripit është vaksinimi. Për këtë shkak apeloj deri te gjithë që kanë nevojë ose dëshirojnë të mbrohen, këtë ta bëjnë dhe të vaksinohen. Rastet deri tani të paraqitura, kaluan me fotografi të lehtë klinike dhe pa pasoja më të vështira, por duhet të merret parasysh se ekziston periudha kur gripi do të merr hov”, deklaroi Vojisllav Ognjanovski, epidemiolog në Qendrën për Shëndet Publik-Gostivar.
Nga fillimi i regjistrimit të rasteve të gripit në rrethinën e Gostivarit, numri i të sëmurëve arriti 163. Më së shumti ka pasur në dhjetor (88), ndërsa vetëm në javën e fundit të vitit 2019 ka pasur 61 raste. Sipas numrit të të regjistruarve, Gostivari është në krye sipas numrit të të prekurve nga gripi.