Gomë në vend të rreth-rrotullimit, të rinjtë e Besës ironizojnë Komunën e Tetovës

Mos funksionimi i semaforëve, tek udhëkryqi në Rrugën Ilinden në Tetovë, për një kohë të gjatë dhe mungesës së një rreth-rrotullimi për rregullimin e qarkullimit në këtë pikë, ka nxitur reagimin e rinisë së Lëvizjes BESA. Ata sot, me qëllim sensibilizimin e opinionit për këto mangësi, në vend të rreth-rrotullimit kanë vendosur një gomë të madhe ekskavatori me shenja të improvizuara të qarkullimit, ndërsa kanë kërkuar nga organet kompetente, intervenimin sa më të shpejtë në këtë udhëkryq, ku shpeshherë ka aksidente të rënda si pasojë e mosfunksionimit të semaforëve dhe mungesës së qarkores.

Duke mos dashur që të rrimë duarkryq, sikurse komuna jonë, ne rinia e Lëvizjes BESA, vendosëm sot, që në shenjë sensibilizimi të opinionit, por edhe në mungesë të buxheteve, (sepse dihet buxhetin e ka komuna), ta vendosim këtë rreth rrotullim të improvizuar, me shpresë se, udhëheqësinë e komunës tonë, do e zgjojmë nga gjumi dimëror dhe do merr masa për zgjidhjen e këtij problemi. Apelojmë organet kompetente që të marrin masa ndaj këtij problemi, që të mos presim të ketë ndonjë viktime dhe më pastaj të hapim sytë, ashtu sikurse është pritur për shumë probleme tjera nëpër qytet. Njëkohësisht, apelojmë vozitësit që, kur të kalojnë këtë pjesë rruge, në mungesë të ndërgjegjes komunale, të kenë ata ndërgjegje dhe të tregojnë respekt për studentët, nxënësit dhe kalimtarët e rastit- tha Albi Qamili. Kryetar i rinistëve të L. BESA.