Goditet grupi italo-shqiptar i përfshirë në trafikun e drogës, 13 urdhër arreste

Mediat italiane kanë raportuar sot goditjen e një grupi italo-shqiptarë prej 13 personash, si pjesë e një operacioni antidrogë në Romë.

Mes të dyshuarve është edhe këngëtarja e famshme shqiptare Elsa Lila. Për këngëtaren ka një urdhër arresti.

Që në orët e para të mëngjesit, agjentët e policisë italiane po ekzekutojnë urdhrin për zbatimin e masës së arrestit ndaj 13 personave të cilësuar si të dyshuar për përfshirjen në trafikimin e lëndëve narkotike, ka raportuar Il Messaggero. Tashmë, 9 persona janë arrestuar.

Sipas raportimit, Lila mbante llogaritë e grupit të trafikut të drogës.

Aktualisht vijojnë kontrollet dhe arrestimet në zonën e Acilias. Pas hekurave ka përfunduar boksieri shqiptar Petrit Bardhi, me nofkën “Titty”, mik i ngushtë i Arben Zogut “Riccardino”, dhe një tjetër boksier shqiptar Orial Kolaj, i quajtur “bateria e Ponte Milvio”.

Riccardino dhe Titty ishin bërë pjesë e një klani italo-shqiptar të drejtuar nga vëllezërit Guarnera që merreshin me trafikun e drogës.