Gjyqi i mafisë në Itali: 200 të dënuar me 2200 vjet burgim për lidhje me organizatën mafioze

Anëtarët e organizatës kriminale më me ndikim në Evropë, Ndrangheta, janë dënuar me më shumë se 2200 vite burg, në një nga gjyqet më të mëdha italiane.

Mediat raportojnë se ata akuzohen për krime që variojnë nga zhvatja, huamarrja, vrasja, shpërdorim detyre, pastrim parash e deri te trafiku i drogës.

Përveç tjerash, ky gjyq arriti të tregojë ndikimin e gjerë të krimit të organizuar në institucionet italiane.

Kjo për faktin se në krim u përfshinë edhe zyrtarë lokalë, biznesmenë e politikanë.

Ndryshe, ndër njerëzit më të shquar që u dënuan ishte Giancarlo Pittelli, avokat dhe ish-senator i partisë Forza Italia të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.

Pittelli u dënua me 11 vite burgim për bashkëpunim me një organizatë të tipit mafioz.

Shumica e të pandehurve u arrestuan në dhjetor të vitit 2019, pas një hetimi të gjerë që përfshin të paktën 11 rajone italiane, i cili filloi në vitin 2016.

Por arrestimi dhe dënimi i mafiozëve nuk do mund të arrihej lehtë pa bashkëpunim me anëtarët e vetë organizatës mafioze.

Më shumë se 50 ish-anëtarë të mafisë ranë dakord të bashkëpunojnë me gjyqin.

Dëshmia e tyre ndihmoi që të zbulohej funksionimi i brendshëm i një prej organizatave më të fuqishme italiane.

Me origjinë në rajonin e varfër të Kalabrisë, Ndrangheta konsiderohet një nga organizatat kriminale më të rrezikshme në botë.

Ajo vlerësohet se kontrollon deri në 80% të tregut të kokainës në Evropë.

“Ky raund i parë i dënimeve tregon se sa sfiduese është të luftosh Ndrangheta për shkak të lidhjeve të saj politike, ekonomike dhe financiare”, tha Antonio Nicaso, ekspert i krimit të organizuar.