Gjykata merr vendimin për Jozefin Markun pas përleshjes me Edi Kuçin

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për këngëtarin Jozefin Marku dhe shoferin e tij, Kristjan Nikollin, të arrestuar në lidhje me sulmin ndaj Eduard Kuçit.

Sipas Top Channel, vendimi është marrë pas seancës për caktimin e masës së sigurisë, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg” për të dy të arrestuarit.

Hetimet për ngjarjen vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të konfliktit dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.

Në kuadër të hetimit, Prokuroria po verifikon edhe përdorimin e simboleve të Policisë së Shtetit, ndërsa është kërkuar një akt-ekspertim për të përcaktuar dëmtimet trupore që mund të ketë pësuar Eduard Kuçi.

Ndërkohë, Kuçi është shpallur në kërkim policor për akuzën e moskallëzimit të krimit. Sipas hetimeve, ai nuk e ka kallëzuar fillimisht ngjarjen në polici, duke e përshkruar atë si një konflikt të shkaktuar nga bllokimi i rrugës me automjet.

Pas verifikimeve të kryera nga policia, ndaj Kuçit është ngritur akuza për moskallëzim krimi dhe ai është vënë në kërkim policor për t’u marrë në pyetje dhe për të dhënë sqarime mbi ngjarjen.

Në mbrojtjen e tij, Jozefin Marku ka deklaruar pas arrestimit se ishte irrituar pasi Kuçi e kishte ofenduar në rrjetet sociale.

Tashmë, me vendimin e gjykatës për “arrest në shtëpi”, Marku dhe Nikolli do të vijojnë të jenë nën masën e sigurimit personal gjatë hetimeve.