Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut sot përmes një kumtese ka kritikuar partitë politike të cilat, sipas saj, në periudhën e kaluar po përpiqen ta partizojnë dhe politizojnë punën e saj me qëllim fitimin e pikëve politike dhe dukshmërisë më të madhe publike, njofton Portalb.mk. Gjykata ka reaguar pas protestës së djeshme të BDI-së në Tetovë kundër vendimit të saj për shfuqizimin e emrave të rrugëve në Tetovë.
Nga Gjykata Kushtetuese thonë se do të mbeten në përputhje me juridiksionin dhe pavarësinë e saj kushtetuese dhe se nuk do t’i nënshtrohen presionit politik, ndikimit apo përpjekjeve për diskreditim.
Gjykata apelon që faktorët politik të tregojnë kulturë më të madhe kushtetuese dhe politike dhe të mos i zhvillojnë konfrontimet partiake në “kurriz të qeverisjes së të drejtës dhe institucioneve që janë më të thirrura ta mbrojnë rendin kushtetues”.
Gjykata vlerëson se janë të palejueshme kualifikimet nga subjekte të caktuara politike se vendimet e saj janë “jokushtetuese” ose “joligjore”, duke përkujtuar se, në pajtueshmëri me nenin 112 nga Kushtetuta, vendimet e Gjykatës janë përfundimtare, të zbatueshme dhe përgjithësisht të detyrueshme. Gjykata u bën thirrje partive politike të përmbahen nga thirrje për protesta të orientuara kundër qeverisjes së të drejtës dhe në vend të saj të tregojnë përkushtim drejt vlerave evropiane dhe interesave të qytetarëve.
“Posaçërisht duam të theksojmë se për Gjykatën nuk ka kurrfarë relevance se çfarë dhe cilët janë emrat e rrugëve, shkollave, objekteve infratrukturore dhe të ngjashme. Ato janë vendime politike të cilët ne nuk i vlerësojmë, por ajo që është e rëndësishme për Gjykatën dhe qytetarët është se nëse ato vendime janë sjellë në procedurë të përcaktuar me ligj. Dëshmi për punën e këtillë objektive dhe të pavarur të Gjykatës Kushtetuese, të bazuar vetëm në vlerësim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së dispozitave të sjella nga të gjithë pushtetet në shtet janë edhe vendimet për ligjshmërinë e procedurës për riemërim të rrugëve në Çair. (https://ustavensud.mk/archives/32056 dhe https://ustavensud.mk/archives/20991 )”, thuhet në kumtesën e Gjykatës.
Gjykata Kushtetuese në fund u bëjnë thirrje të gjithë faktorëve politik të tregojnë përgjegjësi dhe përmbajtje në komunikimin publik dhe të përmbahen nga, siç thonë, përhapje të të pavërtetave dhe manipulimeve në llogari të institucionit i cili është mbrojtës i Kushtetutës dhe rendit kushtetues-juridik.
Pse u shfuqizuan emrat e rrugëve nga Gjykata Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese më 17 qershor 2026 e shfuqizoi vendimin e Këshillit Komunal të vitit 2007 me të cilin sheshi i qytetit dhe shtatë rrugë morën emra në gjuhën shqipe, ndërsa tre rrugë u riemëruan në maqedonisht.
Gjykata vendimin e solli pasi ka konstatuar se nuk ka dëshmi se komuna ka dorëzuar kërkesë te Qeveria për dhënien e pëlqimit të nevojshëm, as akt me të cilin Qeveria ka dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për shkak të së cilës Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk është përmbushur.
Opozita vazhdimisht ka insistuar se në kohën kur është sjellë ky vendim, është kërkuar pëlqim nga niveli qendror, por nuk është marrë përgjigje, dhe në përputhje me nenin 73 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili përcakton se nëse gjatë miratimit të një akti komunal kërkohet pëlqim paraprak nga një organ tjetër, ai organ duhet ta japë atë më së voni brenda 60 ditëve nga dita e dorëzimit të propozimit të aktit, ndërsa nëse organi nuk e jep pëlqimin e kërkuar, akti konsiderohet i pranuar ashtu siç është propozuar nga komuna.
Këtij neni i referohet edhe Gjykata Kushtetuese, por në mungesë të dokumentit ku kërkohet pëlqimi, gjykata e shfuqizoi vendimin
Nga Komuna e Tetovës kanë thënë se nuk kanë pasur përgjigje nga Arkivi Shtetëror se ekziston kërkesë për pëlqim për ndryshimin e emrave e dorëzuar në Qeveri, ashtu siç e parasheh Ligji për përcaktimin e emrave të rrugëve.
As Qeveria nuk gjeti dëshmi. Portalb.mk kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes ligjit për qasje të lirë në informatat e karakterit publik të gjitha kërkesat e pranuara nga Komuna e Tetovës në arkivin e Qeverisë në periudhën nga 01.10.2006 deri më 01.05.2007.
Nga Qeveria na njoftuan se pas kontrollit të detajuar të dokumentacionit që ruhet në depon e Qeverisë, arriti ta gjejë vetëm një kërkesë e cila nuk ka të bëjë me çështjen e emrave të rrugëve, por për dëme të shkaktuara nga reshjet në disa fshatra.
Portalb.mk tani e disa ditë ka kërkuar sqarime shtesë edhe nga Ministria e Transportit, nëse kanë pranuar kërkesë për pëlqim të ndryshimit të emrave në vitin 2006/2007, por nga aty nuk u përgjigjën.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pasi Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941-1945, parashtroi nismë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Këshillit Komunal të Tetovës me të cilin u ndryshuan emrat e rrugëve.
Nismë e re për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë që nga 2022 por pa epilog
Procesi i riemërimit të rrugëve në Tetovë filloi por nuk arriti të përfundojë gjatë administratës komunale 2021/25 dhe procesi u ndërpre pak para zgjedhjeve lokale.
Grupi i punës për këtë çështje u riformua në janar të këtij viti, ndërsa gjashtë muaj më vonë ende nuk ka diçka konkrete. Sipas komunës, brenda këtyre dy muajve pritet të ketë diçka konkrete.
Nga opozita kanë kritikuar për zvarritje të procesit.
Edhe më herët në Tetovë ka pasur nisma të tilla që nuk kanë shkuar deri në fund.



