Gjykata ka refuzuar garancinë, Zekirit i zgjatet edhe për 30 ditë paraburgimi

Ish-sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Muhamed Zekiri sot ka marrë vendim edhe për 30 ditë paraburgim në burgun “Shkup” në Shutkë, ka konfirmuar për “Fokus” avokati i tij Aleksandar Trajkovski.

Trajkovski konfirmon se i është ofruar prona e paluajtshme si garanci se nuk do të arratisej, por ajo ishte refuzuar nga Gjykata Penale.

Vendimi vjen pas skadimit të muajit të parë të masës për sigurimin e pranisë.

Zekiri është deklaruar i pafajshëm në rastin kur ndiqet për lidhjen e kontratës për shërbime konsulence me një kompani pa prokurim publik, e cila sipas prokurorit ka dëmtuar buxhetin. Përpos Zekirit, të dyshuar për këtë rast janë edhe dy shtetas kroatë. Ata janë të paarritshëm për zbatimin e ligjit dhe për ta është lëshuar urdhërarrest vendor dhe ndërkombëtar.