Gjuha “jonë” shqipe?!

Shkruan: Adriatik Kelmendi 

Më qesharakja, e në këtë rast edhe më e dhimbshmja dhe e turpshmja, është ideja se kush e ka tapinë mbi gjuhën shqipe. Po, po, tapinë mbi gjuhën tonë të përbashkët shqipe!

A e keni vërejtur se sa shpesh në shkrimet e autorëve shqiptarë nga Kosova, qofshin ata artikuj modestë gazetarësh, ose romane ambicioze, e para kritikë që i jepet nga ndonjë lexues shpirtngushtë nga Shqipëria është – shkruaj shqip (sic!)?! Ka pasur raste kur romane nga autorë nga Kosova nuk janë marrë parasysh në konkurse letrare në Shqipëri për shkak të “shqipes së çuditshme” (sic!), ose rastet kur një opinionist boton një artikull në ndonjë gazetë online në Shqipëri – vërejtja “mirë, mençur, por herën tjetër shkruaj shqip” (sic!).

Tash për këtë fenomen nuk është se nuk ka pasur debate e polemika përgjatë këtij çerek shekulli prejse filluam të rinjihemi, duke sjellë edhe argumente gjithfarësh. Por unë besoj se shpjegimi është shumë i thjeshtë. Ka të bëjë me idenë e monopolit sërish. E mendimit se mjafton të jesh territorialisht banor i Shqipërisë për të qenë më shqiptar etnik se të tjerët dhe si i tillë për të gëzuar të drejtën e interpretimit përfundimtar edhe të gjuhës shqipe.

Duke harruar se studiues “kosovarë” si Rexhep Ismaili, Idriz Ajeti, Rexhep Qosja etj, kanë dhënë disa prej kontributeve më të çmuara të gjysmëshekullit të kaluar në fushën e gjuhës dhe studimit të letërsisë shqipe.

Dhe duke mos e kuptuar se – për arsyen e jetesës së ndarë faktike që prej vitit 1912 – shqipja që flitet në Shqipëri gjatë kësaj periudhe kohore i është nënshtruar ndikimit në sintaksë dhe semantikë nga gjuha italiane dhe greke, kurse shqipja e Kosovës nga ajo serbokroate dhe angleze, gjë që natyrshëm ka bërë që sot të ketë nuanca dallimi në të shprehur dhe përdorim gjuhe në mesin e autorëve nga të dyja vendet.

Por a e bëjnë këto dallime më shqipe gjuhën që përdoret për t’u shprehur nga autorët nga Shqipëria e më pak shqipe atë që e përdorin autorët nga Kosova? Hm!

Kjo paradoksalisht do t’i binte sikur t’i themi tash Ismailit, Ajetit e Qosjes – mirë, ju keni bërë disa nga studimet më të mira për shqipen, por i keni shprehur ato në një shqipe të çuditshme! A ka kjo kuptim?!