Gjobiten tregtarët që nuk e ulën çmimin e bukës

Tregtarët që nuk e kanë ulur çmimin e bukës deri në 33 denarë për 450 gramë, ose e kanë ulur çmimin por e kanë zvogëluar edhe gramaturën e bukës, janë sanksionuar nga Inspektorati i Tregut. Këto janë vetëm disa nga shkeljet që kanë konstatuar inspektorët në pesë ditët e fundit, të cilët kanë kryer 500 kontrolle dhe kanë konstatuar 6 shkelje në lartësi të 750 mijë denarë.

“Në pesë ditët e fundit janë kryer mbi 500 kontrolle, për të cilat është kompetent Inspektorati Shtetëror i Tregut ndërsa 130 prej tyre janë nga vendimet e Qeverisë, ku janë konstatuar gjashtë shkelje në lartësi të 750.000 denarëve. IShT do të vazhdojë edhe më tej të punojë me kapacitet të plotë, do të veprojmë pa seleksionime, sipas ligjeve”, tha Goran Trajkovski – drejtor i Inspektoratit të Tregut.

Ndonëse u tha që do të bëhen publike emrat e kompanive që nuk i respektojnë masat, një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur.

“Për shkak të ndërlikueshmërisë së rasteve, të lëndëve, unë do t’i tregoj emrat e kompanive që kanë bërë shkelje dhe nuk kanë respektuar vendimet, por po ju lus për pak durim deri sa të përfundojë procedura”, pohoi Goran Trajkovski – drejtor i Inspektoratit të Tregut.

Por në fakt a janë këto shkeljet e vetme që janë bërë në tërë territorin e vendit dhe a janë kontrolluar të gjithë operatorët ekonomik?

“Inspektorati shtetëror i Tregut disponon me 160 inspektorë, ky është një numër shumë i vogël që të mbulohet gjithçka, mirëpo unë po ju sigurojë se po veprojmë me aksione të përbashkëta dhe vetanake edhe në tregje edhe sipas ligjeve tjera”, theksoi Goran Trajkovski – drejtor i Inspektoratit të Tregut.

Nga Qeveria paralajmërojnë masa shtesë dhe kontrolle të shtuara për tregjet e gjelbra, ku siç thonë, ndodh që tregtarët të blejnë produkte nga marketet me çmim më të ulët, siç janë vezët dhe t’i shesin në tregje. Kjo pasi që siç shprehen, në vend dhe rajon ka deficit prodhimit të vezëve. Marketet dhe tregjet e gjelbra në mbarë vendin do të kontrollohen shtesë për çmimet e frutave dhe perimeve./TV21