Gjoba deri në 10 mijë euro për shitësit e mjeteve e “petardeve”

Të gjithë ata që do të përdorin mjete piroteknike gjatë festës së Vitit të Ri dhe për Krishtlindje do të gjobiten me nga 200 deri në 500 euro, ndërsa ata që do ti shesin ato do të dënohen me 3 deri në 10 vite burg. Këto janë sanksionet të parashikuara me nenin 31 të Ligjit kundër shkeljes së rendit publik. Për shkak se afrohen festat kur fishekzjarrët dhe mjetet e tjera piroteknike përdoren më së shumti, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski njoftoi në rrjetet sociale se edhe këtë vit do të zbatojnë fushatën kundër përdorimit të mjeteve piroteknike. Nga MPB po ashtu thonë se kanë realizuar disa aksione për konfiskimin e mjeteve piroteknike. Deri në nëntor kanë zbuluar 11 raste të tregtimit të palejuar të mjeteve piroteknike dhe kanë ngritur padi penale kundër 11 personave. Ndërsa sipas planit operativ aksione të tilla do të ketë edhe ditët në vijim. Megjithatë nga pamjet që regjistroi kamera e Alsat sot, nuk vërehet ndonjë veprim konkret i policisë kur qarkullojnë para mjeteve piroteknike.

Në pesë vitet e fundit, siç njoftojnë nga MPB më shumë mjete piroteknike kanë konfiskuar në vitin 2016, kur kanë marrë rreth 270 mijë copa fishekzjarrësh, ndërsa në vitin 2019 mbi 100 mijë copa fishekzjarrësh. Gjatë ndërrimit të moteve, vazhdimisht autoritetet njoftojnë edhe për persona të lënduar nga mjetet piroteknike. Në natën e festës së vitit të ri 2020, autoritetet kanë njoftuar se vetëm në Qendrën klinike në Shkup janë paraqitur tre persona të cilët kanë marrë lëndime nga fishekzjarrët.