Gjithsej 2.424 persona ndodhen në karantinë në Tetovë dhe Gostivar

Në rajonin e Pollogut ka gjithsej 2.424 persona të cilëve u është dhënë vendim për izolim nga Inspektorati Shtetëror i Shëndetësisë.

Sipas të dhënave të SPB Tetovë, bëhet fjalë për persona të cilët kanë rezultuar pozitiv në testin për COVID-19 dhe ata që kanë pasur kontakt me të infektuar. Deri tani në Tetovë ka 1.386 persona në izolim, ndërsa në Gostivar 1.038.

Nga SPB Tetovë njoftojnë se vazhdimisht po kontrollojnë personat e izoluar. Zyrtarët policorë dje dhe sot, kanë kontrolluar 1.162 persona në Tetovë dhe 986 në Gostivar.

Sa i përket personave të cilët gjatë këtij muaji nuk kanë respektuar vendimet për izolim dhe gjatë kontrolleve nuk kanë qenë në shtëpi, deri tani janë regjistruar 142 persona.