I lindur në Maqedoni, gjithë jetën pa shtetësi! Burhan Fazliu: Jam i bllokuar nuk mund as të kurorëzohem

36 vjeçari Burhan Fazliu nga Kumanova është anëtari i vetëm i familjes që nuk posedon shtetësinë e Maqedonisë së Veriut, shkruan gazeta LAJM. Ndonëse i lindur në këtë qytet, atij nuk i është mundësuar pajisja me këtë dokument pavarësisht se ka aplikuar disa herë për ta marrë të njejtin.

“Jam i lindur në Kumanovë, në vitin 1984 dhe prej atëherë jam pa shtetësi. Kam çertifikatë të lindjes, ekziston edhe numri amë. Kam dëftesat për shkollën fillore që e kam kryer në Kumanovë. Por nuk posedoj shtetësi. Në vitin 2001 kam aplikuar për shtetësi por nuk kam marrë asnjë përgjigje. Kam bërë kërkesë edhe në Kumanovë edhe në Shkup por nuk më është dhënë shtetësia”, u shpreh Burhani për gazetën LAJM.

Krahas problemeve tjera, në mungesë të nënshtetësisë, Burhani thotë se e ka të pamundur të udhëtojë jashtë shtetit. Nuk mund të punësohet dhe as të lidhë kurorë.

“Më mungojnë dokumentet, pasaporta, letërnjoftimi. Nuk mund të kurorëzohem në Francë, por nuk mundem as të qarkullojë. As punësim nuk mund të bëj. 36 vite jetoj këtu por s’më lëjohet shtetësia”, tha Burhani nga Kumanova.

Së fundmi, 36 vjeçari nga Kumanova është pajisur me letërnjoftim për të huaj dhe siç sqaron i është pamundësuar që të aplikojë për shtetësi në gjashtë vitet e ardhshme.

“Tani më kanë detyruar të bëj vendqendrim. Vendqendrimin e kam bërë por tani më thonë që duhet të pres 6 vite për të aplikuar sërish për shtetësi. Tani më pamundësohet të aplikoj për shtetësi. Pse nuk e posedoj nënshtetësinë, unë kam lindur këtu dhe jam shtetas i Maqedonisë. Gjithë familja e kanë shtetësinë, motrat, prindërit. Vetëm unë nuk e posedojë shtetësinë”, u shpreh Burhani.
Për të zgjidhur problemin që ka, ai është munduar të kontaktojë edhe me zyrtarët shqiptarë në Qeverinë e Shkupit , por thotë se është injoruar.

“Agim Nuhiut i kam shkruar disa here, në telefon por nuk më është përgjigjur. Asnjëherë nuk më është përgjigjur edhe pse ia kam treguar gjithë rastin. Kam apel tek ministrat shqiptarë përgjegjës për këtë çështje, ta rregullojnë këtë problem sepse kam shumë nevojë ta marrë shtetësinë”, tha Burhan Fazliu nga Kumanova. /Gazeta LAJM

Gazetare: Senehate Nimani, operator: Amir Idrizi