Gjermania do të dislokojë rreth 5 mijë ushtarë në Lituani, pranë kufirit me Bjellorusinë, në një nga lëvizjet më të rëndësishme të NATO-s për forcimin e mbrojtjes në krahun lindor të aleancës.
Lajmi është bërë publik nga ministri lituanez i Mbrojtjes, Robertas Kaunas, dhe është raportuar nga gazeta gjermane Bild.
Sipas planit, deri në fund të vitit 2027 Gjermania do të vendosë në Lituani një brigadë të plotë ushtarake me rreth 5 mijë efektivë, e cila do të qëndrojë në mënyrë të përhershme në vend.
Ministri Kaunas deklaroi se ndërtimi i infrastrukturës ushtarake po ecën rreth dhjetë muaj përpara afateve të parashikuara. Në zonat ku më parë kishte pyje, po ndërtohen lagje banimi, shkolla, kopshte dhe qendra shëndetësore për të mbështetur praninë afatgjatë të trupave gjermane.
Brigada do të komandohet nga gjenerali Christian Huber dhe, sipas autoriteteve lituaneze, do të ketë një rol kyç në frenimin e çdo kërcënimi të mundshëm ndaj kufirit lindor të NATO-s.
“Mund të supozojmë se Gjermania dhe Lituania do të jenë gati deri në fund të vitit 2027, në mos edhe më herët. Brigada do të jetë plotësisht e pajisur dhe operacionale”, deklaroi Kaunas.
Ai e cilësoi vendosjen e forcave gjermane si një “moment historik” në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Aktualisht në Lituani ndodhen rreth 1 mijë e 800 ushtarë gjermanë, të cilët po zhvillojnë stërvitje ushtarake në Pabradė, vetëm 20 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë.
Stërvitjet përfshijnë Brigadën e 45-të të Blinduar “Freedom Shield”, Batalionin e 203-të të Tankeve dhe njësi të Batalionit të 122-të të Këmbësorisë së Mekanizuar, të cilat pritet të transferohen përfundimisht në Lituani në vitin 2027.



