Gërvalla takohet me Varhelyi, përparimi në dialog objektiv i përbashkët

Komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi është takuar sot me shefen e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla, me të cilën ka biseduar mbi zhvillimet e fundit në vendin tonë.

Varhelyi, në një postim në Twitter, ka shkruar se takimi është mbajtur në kuadër të Forumit “The EU Meets the Balkans” në Sofje të Bullgarisë.

“Ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor, përdorimi i mundësive të ofruara nga EIP dhe përparimi në dialogun Beograd-Prishtinë janë objektivat tona të përbashkëta, ndërsa trajtojmë efektet e luftës në Ukrainë”, ka shkruar ai, transmeton Telegrafi.

 

Ndryshe, shefja e diplomacisë së Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi sot se BE-ja duhet t’i respektojë zotimet e saj për ta bërë vendin e saj anëtare së shpejti.

Ajo tha se njerëzit në Kosovë e mbështesin fuqishëm integrimin në BE dhe se vendi po bën të gjitha përpjekjet për të përmbushur kërkesat për anëtarësim. Ajo bëri thirrje për përparim të mëtejshëm drejt heqjes së vizave për Kosovën, por tha se anëtarësimi i plotë është qëllimi i vërtetë i vendit të saj.

“Mesazhet që po i dërgohen Ballkanit Perëndimor duhet të jenë shumë të qarta”, tha kryediplomatja e Kosovës.