Gërvalla: Lajçaku shpesh u bën jehonë qëndrimeve të Vuçiqit

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schëarz, ka thënë se i Dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, shpesh u bën jehonë qëndrimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një intervistë për të përditshmen austriake, Der Standard, ajo ka thënë se kjo qasje e Lajçakut e inkurajon Vuçiqin që të përshkallëzohet, njofton Klan Kosova.

“Përshkallëzimi është rezultat i një strategjie të gabuar. I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, shpesh mban qëndrimin e Vuçiqit. Jo vetëm që kjo është vdekjeprurëse për ndërmjetësimin; e inkurajon Vuçiqin të përshkallëzohet. Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje ka edhe trupa Wagner në vend. Një strategji e re nevojitet urgjentisht, duke përfshirë staf të ri, nëse duam të ndalet përshkallëzimi”, ka thënë Gërvalla.