Gazeta spanjolle: Shqiptari, sulmuesi i 50 milionë eurove

Rey Manaj (Lushnjë, Shqipëri, 02.24.1997) ka qenë në vitrinën e Barçës për javë të tëra, por pas “hat-trick”-ut të tij kundër Nàstic de Tarragona në miqësoren e parë të përgatitjeve parasezonale e ka vendosur veten në një vend preferencial. Sulmuesi e shfajësoi veten dhe pasi festoi një nga golat e tij u bë gati të dëgjonte zhurmën e tifozëve. Karakteri i tij rebel dhe luftëtar doli në skenë në stadiumin “Johan Cruyff”. Ai mund të konsiderohet një sulmues i keqkuptuar.

Në të gjitha ekipet ku ka qenë, gjithmonë ka shënuar gola, por nuk ka arritur “të hedhë rrënjë”. Manaj u bë një ndërkombëtar absolut me Shqipërinë vetëm 18 vjeç dhe, tani, në moshën 24 vjeç, ka kaluar në shtatë klube të ndryshme të nivelit profesional, shkruan Telesporti.

Për Rey Manaj gjithçka filloi dhe u katapultua në Itali. Pasi ishte në kategoritë e ulëta me Sampdoria, ai shkoi te Cremonese në Serie C. Vetëm një vit më vonë (2015) tërhoqi vëmendjen e Interit.

Në ekipin e parë zikaltër mezi luajti nëntë ndeshje dhe kështu, në kërkim të minutave, vijoi transferimet: së pari te Pescara dhe më pas te Pisa. Në sezonin 2017-2018 arriti në Spanjë, i huazuar te Granada. Një vit më vonë shkoi tek Albacete. Atje luajti 37 ndeshje dhe shënoi 9 gola. Ai ishte në hijen e Zozulya, por kjo nuk e ndaloi Barçën ta shikonte atë dhe gjatë merkatos dimërore 2020 ta blinte për filialin (ekipin B), në këmbim të 700.000 euro dhe 2 milionë më shumë në formë bonusesh.

Manaj firmosi deri në vitin 2023, teksa në kontratë iu vendos një klauzolë lirimi prej 50 milionë euro.

Arritja në klubin katalanas e bëri shqiptarin e parë të përmendur në ekipin e parë të Barçës (Setién e thirri atë në shkurt 2020 kundër Getafe), por e vërteta është se vendi i tij ka qenë gjithmonë te filiali (Barcelona B), ku ka një mesatare prej një goli çdo dy ndeshje. Ai është një shënues shpërthyes, i fortë dhe luftëtar, edhe pse nuk është konsideruar kurrë për ekipin e parë.

Tani Koeman ka më tepër njohuri për shqiptarin. Ka mjaftuar një miqësore në sytë e tij dhe presidentit Laporta për të treguar çfarë është i aftë të bëjë. Në çdo rast, portugezët e Famalicao dhe Cádiz po e ndjekin nga afër, nëse katalanasit e nxjerrin në shitje shqiptarin.