Gashi: Agjenda e kësaj Qeverie nuk është BE-ja

9 Majin e ka uruar edhe kryetari i partisë Alternativa, Afrim Gashi. Ai ka shkruar se në Ditën e Europës, kujtojmë edhe të gjitha përpjekjet e bëra të etërve të BE-së në ndërtimin e një Europe të bashkuar dhe të zhvilluar, një projekt që – sado i sfiduar sot – mbetet alternativa më kuptimplote e kontinentit të vjetër.

“Me këtë rast edhe një herë e përsërisim përkushtimin tonë për anëtarësim të plotë në BE, duke theksuar se vetëm integrimi i përnjëhershëm dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në BE mund ta qetësojë rajonin tonë të trazuar.

E duke e shënuar Ditën e Europës nuk mund të mos e potencojmë edhe faktin e dhimbshëm se – përkundër pritjeve – kjo qeveri ka dhënë prova konkrete se agjenda e saj nuk është BE-ja”. Gashi ka përmendur bashkëpunimin me qarqe antieuropiane, ngecjen ekonomike, shkallën e lartë e korrupsionit, krimin e organizuar në rritje, drejtësinë e politizuar dhe partizuar, kanabizimin e strukturave të sigurisë, si dhe dështimin për menaxhimin e pandemisë dhe të arsimit. “Këto janë vetëm disa pika në listën e gjatë të rrëfimit antieuropian që po e ndërton Maqedonia e Veriut. Sidoqoftë, ëndrra europiane nuk pushon!”, ka shkruar Gashi. /SHENJA/