Futen në grevë punëtorët e hekurudhave në Gjermani, kërkojnë rritje të pagave

Punëtorët hekurudhorë në Gjermani filluan një grevë mbarëkombëtare të martën në mbrëmje. Kreu i sindikatës së tyre, Claus Weselsky, njoftoi se 95% e anëtarëve do ta mbështesnin këtë protestë.

Sindikata e punëtorve hekurudhorë po kërkon rritje të pagës prej 3.2 përqind dhe një “bonus coronavirus-i” prej 600 euro.

Udhëtarët u paralajmëruan që do të kishte ndërprerje të transportit.

Claus Weselsky, u tha gazetarëve se greva do të prekte edhe trenat e mallrave dhe do të zgjaste tre ditë. Greva nisi të martën në orën 19:00. Më pas, ajo do të përfshijë trenat e mëngjesit të së mërkurës, deri në orën 2 të mëngjesit të së premtes.

Mirëpo, operatori gjerman i trenave “Deutsche Bahn” ka hedhur poshtë kërkesat e punëtorëve. Kompania ka humbur miliarda që nga fillimi i pandemisë si edhe nga përmbytjet e fundit që shkatërruan ose dëmtuan shina të shumta hekurudhore.