Fushata për zgjedhjet presidenciale në RMV në javën e dytë, kandidatët intensifikojnë aktivitetet e tyre

Fushata për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut e cila ka nisur më 4 prill, tashmë është futur në javën e dytë. Kandidatët për president gjatë ditës së sotme kanë vazhduar takimet me qytetarët dhe aktivitetet e tyre.

Karvani zgjedhor i kandidatit për president Stevo Pendarovski sot ka qëndruar në disa komuna të Shkupit. Para qytetarëve të Ilindenit dhe Petrovecit, Pendarovski theksoi se vizioni i tij jetësor është që Maqedonia të jetë vend pa ndarje të brendshme, vend i bashkëjetesës, vend ku njerëzit jetojnë denjësisht.

“Nuk ka plan B. Nëse nuk e ndryshojmë Kushtetutën, nuk do të vazhdojmë negociatat me BE-në. Unë kam 25 vjet që merrem me politikën ndërkombëtare dhe e di që nuk mund të jetë ndryshe. Por ata me këmbëngulje thonë se do t’i rinegociojnë të gjitha marrëveshjet”, tha Pendarovski dhe shtoi se ajo që e tremb më së shumti është fakti që qytetarët shpejt harruan se si ka qeverisur Gruevski.

Në kuadër të fushatës për president kandidatja Gordana Siljanovska-Davkova, mbajti tubim në Gostivar. Në fjalën e saj, Siljanovska-Davkova premtimi i parë i saj për qytetarët është se nuk do të shkojë në negociata, nuk do të diskutojë kurrë për Maqedoninë dhe për Kushtetutën, para se të pajtohet me Qeverinë dhe Kuvendin.

“Jo pa pasur teza në letër, pa pasur variante dhe propozime. Jo! Përndryshe, ju jeni një mashtrues politik. Pra, atë që të diktojnë, do ta sjellësh këtu si kali i Trojës. Dhe atëherë madje do të pretendoni se keni marrë pjesë në krijimin e tij. Është një president i papërgjegjshëm! Është një kryeministër i papërgjegjshëm! Janë të habitur nga takimet me shtetarët e huaj sepse nuk e respektojnë veten. Dhe ata nuk e respektojnë njëri-tjetrin sepse nuk kanë asgjë për të respektuar në vetvete. Ata shqetësohen nga njerëzit me integritet dhe dinjitet”, tha Siljanovska, njofton Telegrafi Maqedoni.

Kandidati Stevço Jakimovski foli për gjendjen e rëndë të pensionistëve. Jakimovski tha se nuk guxon që asnjë pensionist të ketë pension më të ulët se 25 mijë denarë. Jakimovski tha se pensionistët duhet të ndihmohen përmes masave sociale në mënyrë që të mos dëmtohet sistemi pensional.

“Te pensionistët mund të intervenohet me masa të politikës sociale, e kjo do të thotë se asnjë pensionist në Republikën e Maqedonisë, respektivisht asnjë familje pensionistësh nuk mund të ketë më pak se 25 mijë denarë. Kjo do të thotë se nëse një familje ka pension prej 18 mijë denarësh deri në 25 mijë denarë nga politika sociale, nga mbrojtja sociale do të marrë edhe 7 mijë denarë deri në 25 mijë denarë. Nëse në ndërkohë anëtari i dytë i familjes pensionist bëhet pensionist dhe ai tani ka një pension prej 15-20 mijë denarë, kjo do të thotë se këto 7 mijë denarë do t’i jepen dikujt tjetër, dhe kjo familje pensionistësh tashmë ka 37- 8 mijë denarë. Me këto masa duam të përmirësojmë në mënyrë drastike jetën e pensionistëve, që çdo familje pensionistësh të funksionojë normalisht. Në dimër, ai normalisht të mund të ngrohë dhomën në të cilën jeton”, tha Stevço Jakimovski.

Karvani i kandidatit për president të shtetit nga Fronti Europian Bujar Osmani, sot ka zbarkuar në Komunën e Zhelinës dhe Tetovë, respektivisht në fshatrat: Grupçin, Debërcë, Pallaticë, Trebosh dhe Strimnicë.

Kandidati i Frontit Evropian Bujar Osmani, ka shfrytëzuar takimet me qytetarët për të ndarë vizionin e tij dhe zotimet e parapara në Dekalogun e tij, ku ka përfshirë Agjendën politike dhe zotimet si president i ardhshëm. Partitë politike nuk krijohen pa pasur një kontekst të madh politik, një kauzë të madhe politike, ka porositur Osmani.

“Ne jemi blloku i tretë, që pretendojmë më marr mandate dhe me udhëheq me shtetin. Dhe t’i ndërtojmë mur nacionalizmit të OBRM-PDUKM-së. Nuk do të ketë Qeveri pa ndryshime kushtetuese. Prandaj këto zgjedhje janë të jashtëzakonshme. Prandaj, na duhet mbështetja juaj. Ai që fiton më 24 prill fiton edhe me 8 maj”, tha Osmani.

Kandidatja e “Të Majtës” Biljana Vankovska, në Makedonska Kamenica takoi tregtarët. Ajo tha se eksodi, sidomos i të rinjve nga kjo trevë, është shumë i madh. Ajo përsëriti se nuk do të investojë para për qëllime ushtarake, por për një jetë më të mirë të qytetarëve.

“Sot kemi një ditë tregu dhe pak më shumë njerëz, vazhdojmë me një bisedë kokë më kokë me qytetarët, nga të cilët fatkeqësisht dëgjoj historinë se sa qytetarë kanë hipur në autobusë mëngjesin e sotëm dhe janë larguar nga qyteti. Pra, vazhdimisht në këtë pjesë të Maqedonisë, por edhe në pjesën tjetër, përballemi me emigrimin e asaj që është më e mira dhe më e dashura, të rinjtë”, theksoi Vankovska.

Kandidati për President i koalicionit VLEN, Arben Taravari, i shoqëruar nga kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, takuan anëtarët e Akademisë së Shqiptarëve për Shkencë dhe Art me seli në Tetovë.

Arben Taravari paraqiti prioritetet e platformës së tij presidenciale në lidhje me shkencën, në veçanti rritjen e investimeve në shkencë dhe promovimin e R&D-së. Arben Taravari dhe Bilall Kasami theksuan se me ardhjen në pushtet të Koalicionit VLEN, qeveria e re do të ketë si prioritet pavarësimin e universiteteve dhe rritjen e cilësisë në arsim, në të gjitha nivelet.

Fushatën ditën e sotme kandidati Maksim Dimitrievski, e vazhdoi në Demir Kapi. Në një deklaratë për media, Dimitrievski tha se ajo që po bëjnë qytetarët në këtë zonë është shembull që duhet theksuar.

“Mendoj se me punën e tyre kontribuojnë në masë të madhe në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto. Vetëm me punë e përkushtuar që do të ndikojë në rritjen e pasurisë në vend, mund të flasim për një shtet të vetëqëndrueshëm të Maqedonisë”, tha Dimitrievski.

Theksojmë që zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 24 prill.