BDI më e pasura, me më shumë para se partitë tjera

Enti Shtetëror i Revizionit ka publikuar buxhetet e partive politike gjatë vitit të kaluar, se sa kanë përfituar nga arka e buxhetit të shtetit dhe përmes formave të tjera si donacione, anëtarësimi, dhurata dhe burime tjera, përcjell INA. 

Enti Shtetëror i Revizionit  bëri të ditur të ardhurat dhe shpenzimet e 42 partive politike.

Partia më e pasur është BDI-ja, e cila prinë me buxhetin e arkëtuar gjatë 2023, pas saj radhiten partitë e tjera si LSDM, VMRO-DPMNE, ASH, E Majta, GROM dhe partitë e tjera, përcjell INA.

BDI vitin e kaluar ka realizuar të hyra prej 156 milionë denarëve apo 2.5 milionë euro, prej të cilave një milion denarë nga anëtarësia dhe 1,5 milionë denarë nga donacionet. Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti dhuroi 36 mijë denarë, ndërsa kryeministri teknik Talat Xhaferi 15 mijë denarë.

LSDM-ja në pushtet vitin e kaluar ka realizuar 119 milionë denarë apo afër 1.9 milionë euro. Prej tyre, 2,9 milionë denarë janë nga anëtarësia, dhuratat, donacionet e tjera, ndërsa mbi 88 milionë denarë janë të hyra nga burime të tjera.

VMRO-DPMNE opozitare vitin e kaluar kishte të hyra prej 104 milionë denarë apo 1.5 milionë euro. Ajo ka fituar më së shumti nga buxheti i shtetit, gjegjësisht qytetarët dhe këto janë 97 milionë denarë, para që i takojnë me ligj dhe që i merr çdo parti. Nga donacionet janë 3,7 milionë denarë. Donatori më i madh ishte kompania për mirëmbajtjen e higjienës “Luvak 2020” me 800.000 denarë.

Aleanca për Shqiptarët kishte të ardhura 23 milionë apo rreth 380 mijë euro, prej të cilave 17 milionë denarë nga buxheti. E majta merrte 14 milionë denarë nga shteti, GROM kishte tetë milionë denarë të ardhura si dhe vijojnë partitë e tjera me më pak të ardhura. (INA)

Shiko raportet e të gjitha partive KËTU