Fushata e partive politike bartet në rrjete sociale

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, e kanë bartur betejën mes kundërshtarëve politikë, prej pankartave në rrugë, në rrjetet sociale, vlerësojnë njohës të këtyre platformave.

Sipas tyre, profilet e rreme – të njohura në botën digjitale si troll – kanë agjendë të përcaktuar politike.

“Jemi dëshmitarë të një realiteti të ri, ku kanë ndodhur ndryshime të mëdha, përfshirë këtu betejën mes partive politike, publikimin e lajmeve, argumenteve, por edhe sulmeve politike, me ç’rast rrjetet sociale paraqesin një front apo platformë ku zhvillohet beteja mes partive politike, për të fituar simpatinë e votuesve”, ka thënë profesori universitar në fushën e komunikimit, Sead Xhigalli, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, beteja të tilla janë zhvilluar në të kaluarën në baza individuale, por së fundi partitë politike po koordinohen me pjesëtarët e tyre.

Ai tregon sesi, përmes llogarive të rreme, po sulmohen qëndrimet e kundërshtarit politik.

Xhigall i ka thënë Radios Evropa e Lirë se partitë politike e kanë kuptuar se gjeneratat e reja, burim informacioni i kanë rrjetet sociale, andaj edhe i përdorin këto platforma për t’i çuar përpara agjendat.

“Qendrat politike, gjithnjë e më shumë bëhen të shkathëta, sa i përket arritjes deri te grupet e caktuara demografike”, ka thënë ai.

Njohësit e mediave digjitale theksojnë se shteti duhet të gjejë mekanizma funksionalë për mbrojtjen e qytetarëve nga lajmet e reshme, që plasohen në rrjete sociale, pasi influenca e tyre bëhet aq e fuqishme sa ndikon në ndryshimin e opinionit politik për zhvillimet me interes për shtetin, përfshirë dhe orientimin pro-evropian të vendit.

Bojan Kordallov ekspert i mediave sociale, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, fushat e partive politike në rrjetet sociale janë ligjore, por sipas tij, problematike mbeten fushat e zeza, përkatësisht keqpërdorimi i profileve të rreme.

“Mediat digjitale duhet ta begatojnë demokracinë, ato duhet të paraqesin një fushë mejdani ku qytetarët do të luftojnë për më shumë të drejta, dhe më shumë demokraci duke i plasuar qëndrimet e tyre. Por, në realitet ndodh e kundërta. Me praninë e profileve të rreme, uzurpohet vullneti i lirë i qytetarëve, pasi personat që fshihen pas profileve të rreme ngufasin hapësirën e të shprehurit” ka thënë Kordallov.

Ai beson se qytetarët duhet të edukohen për t’i identifikuar profilet e tilla, ashtu që të mos të mos bien nën ndikimin e agjendave të caktuara.

“Duhet investuar në ndërtimin e mendimit kritik nga moshat më të hershme. Mbrojtja më e mirë nga dezinformatat, që plasojnë profilet e rreme, është mendimi kritik, aftësia për verifikimin e lajmeve”.

Përfaqësues të partive politike, në disa raste, e kanë pranuar se posedojnë llogari në rrjetet sociale për t’i mbajtur të informuar ithtarët e tyre, kur sulmohen nga kundërshtarët politikë, por nuk pranojnë se edhe vetë ata, me raste, paraqiten si sulmues./REL