Pesë muaj pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit, Teherani ka arritur të ruajë efektivitetin e forcës së tij raketore dhe të kryejë goditje me sa duket gjithnjë e më të sakta ndaj objektivave në rajon.
Në fillim të konfliktit, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se një nga synimet ishte “shkatërrimi i raketave sulmuese iraniane dhe i kapaciteteve të prodhimit të tyre”.
Megjithatë, edhe pas qindra sulmeve amerikane, raketat iraniane kanë goditur baza dhe instalime në Jordani, Kuvajt, Bahrejn, Arabinë Saudite dhe Katar.
Sipas ekspertëve të cituar nga Financial Times, armëpushimi i brishtë i prillit dhe intensiteti më i ulët i operacioneve amerikane gjatë javëve të fundit u kanë dhënë forcave iraniane më shumë hapësirë për të vepruar.
Mungesa e Izraelit në fazën e fundit të luftimeve ka ulur gjithashtu presionin ndaj tyre.
“Është më e lehtë të qëllosh kur nuk po qëllojnë kundër teje”, tha për FT-në Nicole Grajewski, eksperte e programit iranian të raketave balistike në Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Sipas saj, ekipet iraniane nuk janë më të detyruara t’i zhvendosin me ngut lëshuesit dhe po veprojnë në një mjedis më të favorshëm operacional.
Në muajt e parë të luftës, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli u përpoqën të shkatërronin lëshuesit dhe ekipet iraniane, duke goditur hyrjet e bazave nëntokësore. Por inxhinierët iranianë duket se kanë arritur të rikthejnë shpejt një pjesë të kapaciteteve.
Analistët vlerësojnë se Irani po përdor më pak raketa të vjetra dhe më shumë sisteme moderne, të cilat kanë saktësi më të lartë.
“Ne mund të jemi duke qëlluar më pak ndaj tyre, ndërsa ata mund të jenë duke përdorur raketa më të sakta”, tha gjithashtu Jeffrey Lewis për FT-në, nga Qendra James Martin për Studimet e Mospërhapjes.
Teherani mund të ketë përfituar edhe nga goditjet e mëparshme ndaj radarëve dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm në Jordani dhe në vendet e Gjirit.
Këto sulme mund të kenë dobësuar aftësinë për të zbuluar dhe ndjekur raketat iraniane.
Ekspertët thonë se forcat iraniane kanë përshtatur edhe taktikat e tyre, duke fshehur më mirë vendndodhjet e lëshimit, duke përdorur raketa, dronë dhe armë kruz në mënyrë të koordinuar dhe duke kryer edhe lëshime gjatë ditës.
Shtetet e Bashkuara përballen tani me një dilemë strategjike. Për të kufizuar forcën raketore iraniane, Washingtoni mund të detyrohet të zgjerojë sulmet ndaj lëshuesve dhe bazave të raketave, por kjo do të kërkonte më shumë mjete ushtarake dhe do të konsumonte më tej rezervat e raketave interceptuese.
“Irani është një vend i madh dhe gjetja e lëshuesve të raketave është si të kërkosh një gjilpërë në kashtë”, tha Farzin Nadimi, ekspert i ushtrisë iraniane në Institutin e Washington-it për Politikën e Lindjes së Afërt.



