Fshati kosovar vendosi rimorkio për të ndalur koronavirusin, sot shënohet rasti i parë pozitiv

Edhe pse fshati Semetisht i komunës së Suharekës ishte organizuar duke marrë masa të ndryshme efektive për të ndaluar përhapjen e koronavirusit në këtë vend, madje duke vendosur në mes të rrugës edhe një rimorkio, sot është shënuar rasti i parë me Covid-19 në këtë fshat.

Një ndër 33 rastet e regjistruara sot, si pozitive me koronavirus në Kosovë, është edhe një rast nga Suhareka i cili vjen nga ky fshat e që ende nuk dihet se si është infektuar.

Por, ajo se farë dihet është se koronavirusi ka prekur edhe komunën e Suharekës, e deri më tani në këtë qytet janë konfirmuar 5 raste me këtë të fundit, por që njëri nga ta bën pjesë në listën e të shëruarve.

Rastet pozitive janë konfirmuar në Bllacë, brenda në qytet dhe një ka qenë në karantinë në Qendrën e Studentëve i cili kishte ardhur nga jashtë.

E për të mos pasur kontakte me zonat e prekura me koronavirus, në fshatin Semetisht disa banorë kanë vendosur rimorkio në mes të rrugës.

Kjo rimorkio e bën të pamundur që veturat të kalojnë rrugën dhe siguria për këtë banorë është më e madhe, por që një rast tashmë është identifikuar.