Çulev: Nuk jam i përfshirë në diskutimet e qeverisë

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri Teknik i Punëve të Brendshme Nake Çulev flet për sfidat e Ministrisë së Brendshme në menaxhimin e pandemisë Covid-19, për masat e qeverisë dhe marrëdhëniet me zyrtarët qeveritarë.

I pyetur se pse në disa konferenca për shtyp të ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, si përfaqësues i Ministrisë së Brendshme qëndron zëvendësi i MPB-së, Çulev tha se kjo është për shkak se Qeveria nuk pranon një pjesë të madhe të propozimeve të tij dhe se deri më tani nuk është thirrur në asnjë konferencë shtypi të qeverisë.

“Më duhet të them që jo gjithmonë propozimet tona shqyrtohen nga Qeveria, dhe dekretet që propozoj nuk shqyrtohen me vëmendje nga kryeministri Oliver Spasovski dhe ministrat e tjerë, kështu shpesh refuzohen propozimet e mija”, tha mes tjerash Çulev.

Ai gjithashtu komentoi masat për të parandaluar përhapjen e Covid-19. Sipas tij masat janë vendosur për shkak të mentalitetit të njerëzve në vendin tonë , duke e përshkruar mentalitetin si shumë të shoqërueshëm (social)./Alsat