Franca sekuestron jahtin 108 milionë eurosh të oligarkut rus

Zyrtarët francezë të doganave njoftuan të enjten se kishin konfiskuar jahtin Amore Vero, në pronësi të miliarderit të sanksionuar rus Igor Sechin, njeriu i afërt i presidentit rus Vladimir Putin.

Në njoftimin zyrtar thuhej: “Gjatë natës së 2 deri më 3 mars, doganierët francezë sekuestruan jahtin Amore Vero në kantierin detar në La Ciotat, pas një kontrolli që zgjati disa orë”.

“Jahti është në pronësi të një kompanie në të cilën Igor Sechin, kreu i kompanisë Rosneft, është identifikuar si aksioneri kryesor. Ky jaht binte në kuadër të masave të ngrirjes kundër pronarit të tij nga Këshilli Evropian”.

Super-jahti 86 metra i gjatë, i ndërtuar në vitin 2013, ka një vlerë prej 108 milionë euro – dhe kosto vjetore të funksionimit prej 10 milionë eurove.

Gjermania sot njoftoi për sekuestrimin e superjahtit 600 milionë dollarësh që i përkiste miliarderit rus Alisher Usmanov në një kantier detar në Hamburg të mërkurën.