Franca në çdo front kundër Turqisë, kërkon që Armenisë t’i mbrohen interesat në tokën e pushtuar

Presidenca e Francës tha të martën se është duke i studiuar parametrat e armëpushimit në Nagorno-Karabak, por shtoi se çfarëdo marrëveshje e gjatë duhet t’i marrë në konsideratë interesat e Armenisë.

Përmes një deklarate, presidenca franceze gjithashtu tha se Turqia duhet t’u japë fund provokimeve në rajon dhe të përmbahet nga veprimet që mund ta rrezikojnë një marrëveshje në të ardhmen.

Ndryshe, Turqia vazhdimisht e ka përkrahur Azerbajxhanin në konfliktin me Armeninë dhe i ka bërë thirrje kësaj të fundit që t’i tërheqë trupat nga rajoni Nagorno-Karabak, të cilin e ka pushtuar në vitet e nëntëdhjeta, por që ende njihet ndërkombëtarisht si pjesë e territorit të Azerbajxhanit.

Raportet mes Francës dhe Turqisë janë përkeqësuar në masë të madhe muajve të fundit për disa çështje, përfshirë raportet eTurqisë me Rusinë, eksplorimin e burimeve natyrore nga Turqia në ujërat afër Greqisë e Qipros, të cilin Franca e ka kundërshtuar, si dhe publikimin e karikaturave të profetit Muhamed në Francë dhe deklaratat rreth Islamit nga presidenti francez, Makron.

Pak javë më parë, presidenti turk, Rexhep Erdogan, tha se homologu i tij francez ka nevojë për kontroll psikik pas qëndrimeve të Makronit rreth ekstremizmit islamik.