Franca ndalon një grup të ekstremit të djathtë

Qeveria e franceze ka ndaluar të mërkurën një grup rinor të ekstremit të djathtë të njohur si “Zouaves Paris” pasi bëri përgjegjës këtë grupim për sulmet ndaj aktivistëve kundër racizmit në një tubim të gjerë që u mbajt muajin e kaluar nga kandidati presidencial i ekstremit të djathtë, Eric Zemmour.

“Grupi “Zouaves Paris” u ndalua sot në mëngjes në një mbledhje të kabinetit, në përputhje me udhëzimet e presidentit Emmanuel Macron, shkroi në Twitter ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, duke thënë se grupi kishte nxitur “urrejtje dhe dhunë”.

Ky grup ishte themeluar në vitin 2017 dhe siç raportohet ka rreth 20 anëtarë fanatik. Në dekretin që ndalon këtë grupim thuhet grupi “propagandonte një diskurs haptazi racist” që përfshinte “simbolet e ideologjisë naziste” dhe “epërsinë e të bardhëve”.

Anëtarët e këtij grupi u akuzuan për sulme ndaj aktivistëve të “SOS Racisme” në një tubim të mbajtur më 5 dhjetor të vitit të kaluar.

Udhëheqësi i saj Marc de Cacqueray-Valmenier, 23 vjeç, u arrestua dhe u akuzua për sulm.

Grupi e ka marrë emrin nga njësitë elitare të trupave franceze që luftuan në Afrikë në shekullin e 19-të.

Zemmour që është kandidat për president të Francës, akuzohet nga kundërshtarët për qasje raciste, akuzë të cilën ai e mohon.

Megjithatë, ai vazhdimisht ka kritikuar islamin dhe imigracionin, të cilat ai thotë se po dëmtojnë identitetin francez.

Zemmour aktualisht po përpiqet që t’i mbledhë 500 nënshkrimet e nevojshme nga kryebashkiakët francezë për të regjistruar zyrtarisht kandidaturën e tij.