Fraksioni i BDI-së apo siç njihet në publik si “Grupi i zjarrit” “shpreh indinjatën e thellë nga vendimi i Komunës së Butelit, për kthimin e emrave të vjetër të një pjese të rrugëve në këtë komunë, që kohë më parë u zëvendësuan me emra të personaliteteve të shquara shqiptare”, përcjell TV21.
Më tej nga ky fraksion thonë se iniciativa në fjalë është tendencioze dhe joligjore dhe ftojnë kryetarin e Butelit, Darko Kostovskin dhe kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovskën të vendosë tabelat e rrugëve me emrat shqip.
“Theksojmë, se iniciativa e dërguar në Qytetin e Shkupit për miratim, përveç që është tendencioze, është edhe joligjore, sepse vendosja e emrave të rinj të figurave shqiptare është bërë duke i respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe duke e respektuar plotësisht Parimin e Badinterit.
Ju bëjmë thirrje publike kryetarit të Komunës Butel dhe kryetares së Qytetit të Shkupit t’i vendosin tabelat me emërtimet e reja në gjuhën shqipe sepse është obligim ligjor!Këtë proces do ta ndjekim me vigjilencën më të madhe sepse Buteli është përafërsisht me 50% banorë shqiptarë dhe ky realitet duhet patjetër të respektohet”, qëndron në reagimin e fraksionit të BDI-së.




