FOTO/ Ky është roja i sigurisë që humbi jetën nga sulmi ndaj Top Channel

Pal Kola është 60-vjeçari që mbeti viktimë e plumbave që u qëlluan ndaj godinës së Top Channel rreth orës 01:00 pas mesnatës sot.

I ndjeri i cili punonte si roje sigurie në Top Channel, ka qenë në kabinën e tij duke u ngohur në momentin kur ka ndodhur sulmi me breshëri kallashnikovi.

Nga 27 gëzhoja që u gjetën në vendngjarje, njëri ka kapur rojën, i cili gjatë transportimit në spitalin e Traumës, ka humbur jetën.

Fotoja e viktimës e publikuar nga gazetari investigativ Artan Hoxha.

Pal Kola ishte babai i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali. Kola njihej si njeri i qetë dhe nuk kishte konflikte, teksa ishte me origjinë nga Puka dhe prej 25 vjetësh jetonte në Sharrë.

60-vjeçari banonte në një shtëpi të vogël në Sharrë, në kushte aspak të mira. Për të shkuar në punë ai duhej të bënte çdo ditë kilometra në këmbë, pasi shtëpinë e kishte larg nga rruga kryesore. Madje edhe ditët e festave i shpenzonte në punë.

Sipas zyrtarëve policorë, tashmë janë krijuar disa pika kontrolli për kapjen e autorëve, por deri tani nuk ka asnjë të arrestuar. Disa orë më vonë është gjetur një makinë e djegur, e cila dyshohet se u përket autorëve të aktit, brenda së cilës janë gjetur dy armë automatike.