Forma e jashtëzakonshme e Bellingham, Ancelotti ka një përgjigje epike: Duhet ta shikojmë pasaportën e tij edhe njëherë

Jude Bellingham është duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme në vitin e tij të parë te Real Madridi.

Mesfushori i talentuar anglez është shndërruar në lider të Los Blancos pasi në çdo ndeshje shënon dhe asiston mes kampionatit dhe Ligës së Kampionëve.

20-vjeçari në nëntë ndeshje zyrtare ka realizuar tetë gola dhe ka asistuar në tre të tjerë, ku asnjë futbollist i Realit nuk ka bërë më mirë se ai deri më tani.

E duke marrë parasysh formën e jashtëzakonshme që po kalon anglezi, Ancelotti u pyet pas ndeshjes me Napolin nëse është i sigurt se Bellingham ka vetëm 20 vite.

Trajneri italian ka dhënë një përgjigje epike, duke thënë se duhet ta shikojnë edhe njëherë pasaportën e tij.

 

“Jo, nuk jam i sigurt. Do të duhet të kontrolloni pasaportën e tij. Lojtar fantastik, karakter i fortë, personalitet”, tha Ancelotti.

“Unë jam vërtet i befasuar nga Bellingham, është e vështirë të gjesh një 20-vjeçar me karakter dhe personalitet kaq të fortë. Fantastike që ka nënshkruar për ne”, deklaroi Ancelotti.

Bellingham ishte lojtari kryesor i Realit ndaj Napolit në fitoren 3-2 duke shënuar një gol e duke asistuar në një tjetër.