Forcohet besimi te ekonomia botërore

Kryediplomati kinez Wang Yi ka thënë se marrëveshja tregtare e fazës së parë kino-amerikane është një lajm i mirë për të gjithë dhe “do t’i ofrojë siguri tregtisë globale”.

Wang e bëri këtë deklaratë në një konferencë shtypi të dielën në Lubjanë me homologun e tij slloven Miro Cerar.

Komentet e tij kryediplomati kinez i bëri pasi Kina dhe ShBA-ja ranë dakord për tekstin e marrëveshjes ekonomiko-tregtare të fazës së parë.

Në këtë dokument me nëntë pika, Kina pranon që të shtojë importimin e produkteve bujqësore amerikane, ndërsa ShBA-ja do të heqë gradualisht tarifat ndaj produkteve kineze.

Duke e quajtur marrëveshjen rezultat të respektit të ndërsjellë e konsultimeve të barabarta, Wang Yi shprehu besimin që ajo përmbush kërkesat e të dy popujve dhe shpresat e bashkësisë ndërkombëtare.

Ai shtoi se ky hap do të ndihmojë në forcimin e besimit te ekonomia botërore dhe do të ndihmojë në ruajtjen e rendit tregtar ndërkombëtar.