Forcat Tokësore të Shqipërisë nisen drejt Kosovës, si pjesë e kontigjentit të KFOR-it

Pjesëtarë të Ushtrisë së Shqipërisë janë nisur të hënën drejt Kosovës.

Ata janë pjesë e kontrigjentit të 8-të të KFOR-it, pas një ceremonie që është zhvilluar në Poshnjë.

Forcat Tokësore të Shqipërisë kanë njoftuar për këtë kontigjent, duke e vlerësuar atë si kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon

“Në ambientet e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut u zhvillua ceremonia e nisjes së Kontingjentit KFOR 8 drejt Pejës, Kosovë. Me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë, efektivët e Forcës Tokësore nisin misionin e tyre në mbështetje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon.”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se Forca Tokësore përkrah NATO-s vijon të kontribuojë në siguri.

“Përkrah aleatëve të NATO-s, Forca Tokësore vijon të japë kontribut të çmuar në operacionet ndërkombëtare, duke dëshmuar gatishmëri, profesionalizëm dhe standarde të larta operacionale”, thuhet në njoftim.

Forcat Tokësore u kanë uruar suksese pjesëtarëve të kontingjentit në misionin e tyre në Kosovë dhe një kthim të sigurt në atdhe. /Klankosova.tv