Forcat ruse janë zhvendosur rreth 5 kilometra më afër Kievit

22:06 – Forcat ruse janë zhvendosur rreth 5 kilometra më afër Kievit

Forcat ruse kanë lëvizur përpara, në afërsi të aeroportit Hostomel, me rreth 5 kilometra, në ditën e fundit, u ka thënë gazetarëve të enjten një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.

Forcat ruse vazhdojnë të “përparojnë trupat e tyre” përgjatë dy linjave paralele jashtë Kievit.

“Ne shohim forcat ruse që vazhdojnë të avancojnë trupat e tyre, ato janë me të vërtetë përgjatë dy lloje linjash paralele atje, dhe ne vlerësojmë se pjesa veriore e këtyre dy linjave, vija më e afërt ka arritur rreth 40 kilometra në lindje të Kievit”, ka thënë ky zyrtar.

Në vijën jugore, zyrtari beson se forcat ruse “mund të jenë duke u ripozicionuar përsëri drejt Sumit”, por nuk është e qartë se sa forca, sa shpejt po lëvizin prapa ose pse po e bëjnë këtë, ka shtuar zyrtari.

Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se qyteti i Chernihiv është “tashmë i izoluar”.

Zyrtari ka thënë gjithashtu të enjten se forcat ruse kanë lëshuar “775 raketa” të llojeve të ndryshme që nga fillimi i pushtimit të tyre në Ukrainë.

21: 48 – Mbi 80,000 të evakuuar nga Kievi dhe Sumy në dy ditë

Më shumë se 80,000 njerëz janë evakuuar nga zonat përreth kryeqytetit ukrainas, Kiev dhe qytetit Sumy, në verilindje, gjatë dy ditëve të fundit, ka njoftuar qeveria ukrainase. 

21:44 – Putini nuk është kundër një takimi me Zelenskyn, thotë ministri i jashtëm turk

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin nuk është kundër bisedimeve të drejtpërdrejta me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

20:58 – Moska ofron korridore humanitare në Rusi për qytetarët ukrainas

Ministria ruse e Mbrojtjes i ka thënë agjencisë së lajmeve Interfax se do të hapë një numër korridoresh humanitare në Rusi për qytetarët ukrainas, pa miratimin e Kievit.

Zyrtarët kanë thënë se korridoret do të hapen në orën 10:00 me orën e Moskës, çdo ditë gjatë kohëzgjatjes së konfliktit.

Ofertat për hapjen e korridoreve humanitare drejt Rusisë janë kritikuar më parë si “cinike”.

Ndërkohë, Ukraina ka hedhur poshtë një ofertë të ngjashme më herët dhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i ka quajtur propozimet e tilla “absurde”.

19:45 – Macron: Kushtet e Putinit për armëpushim, të papranueshme

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë këtë të enjte se kushtet e vendosura nga homologu i tij rus, Vladimir Putin, për një armëpushim në Ukrainë “nuk janë të pranueshme për askënd”.

“Unë nuk shoh një zgjidhje diplomatike në orët e ardhshme apo edhe ditët në vijim”, ka thënë Macroni para gazetarëve në Versajë përpara samitit të liderëve të Bashkimit Evropian që do të përqendrohet në pushtimin rus të Ukrainës, zgjidhjet për rritjen e çmimeve të energjisë dhe më pak varësinë nga gazi dhe nafta ruse.

19:31 – Biden e Erdogan bisedojnë për “shqetësimin e përbashkët” për Ukrainën

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka diskutuar nëpërmjet një telefonate me homologun e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, mbi shqetësimin e përbashkët për Ukrainën.

Ata diskutuan për “shqetësimin e përbashkët për pushtimin e pajustifikuar të Ukrainës”, duke e riafrimuar mbështetjen e tyre për qeverinë dhe popullin ukrainas, sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.

19:25 – Të paktën 60 spitale janë dëmtuar në Ukrainë

Dhjetëra spitale ukrainase janë dëmtuar nga sulmet ajrore dhe granatimet ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, dy javë më parë.

Ministri i Shëndetësisë i Ukrainës, Viktor Liashko ka thënë se numri i objekteve mjekësore të dëmtuara në luftë tani ka tejkaluar 60.

Ndërkohë, ai ka thënë se vdekja e pesë punonjësve të kujdesit shëndetësor ishte për shkak të “plumbave të terroristëve rusë”.

Gjatë ditës së mërkurë Ukraina ka bërë të ditur se tre persona u vranë kur një raketë ruse goditi një maternitet në qytetin port jugor të Mariupolit.

18:49 – Inteligjenca amerikane: Zona e ndalim-fluturimit nuk do të mbronte nga armët ruse

Zona e ndalim-fluturimit nuk do të mbronte nga shumica e armëve që Rusia përdor në Ukrainë, thotë drejtori i DIA

Një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë nuk do të mbronte kundër shumë prej armëve që forcat ruse po përdorin në Ukrainë tani, ka thënë drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, gjenerallejtënant Scott Berrier.

Forcat ruse po përdorin “një kombinim kryesisht raketash, artilerie, raketahedhës të shumëfishtë. Ka disa municione të drejtuara me saktësi që po hidhen nga avionët, por ky numër është i vogël”, ka thënë Berrier në një shkëmbim me senatorin Angus King.

“Një zonë ndalim-fluturimi nuk do të mbronte kundër “frenimit të raketave, raketave dhe artilerisë”, ka shtuar Berrier.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve të NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të krijojnë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.

Mirëpo, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, ka thënë të mërkurën se hapësira ajrore mbi Ukrainën mbetet e kontestuar.

17:46 – SHBA-ja po shqyrton më shumë sanksione kundër Rusisë

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po shqyrtojnë sanksione shtesë për të ndëshkuar Rusinë për “mizoritë” e kryera në Ukrainë, edhe pse sanksionet ekzistuese i japin një goditje të fuqishme ekonomisë ruse, ka thënë të enjten Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen.

16:32 – Gjysma e popullatës së Kievit e ka lëshuar qytetin

Gjysma e popullatës së kryeqytetit të Ukrainës, Kiev janë larguar nga shtëpitë e tyre që kur ka nisur pushtimi, ka bërë të ditur kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko, derisa forcat ruse po vazhdojnë t’i afrohen këtij qyteti çdo ditë e më shumë.

Klitschko, ish-kampion bote në boks ka thënë se Kievi është shndërruar në një kala.

Sipas tij, më pak se 2 milionë banorë, nga rreth 3 milionë sa i ka Kievi, tashmë janë larguar.

Forcat ruse besohet se kanë afruar edhe më shumë makineritë në veri-lindje të qytetit, të enjten.

Ndërkohë, zyrtarët perëndimor kanë paralajmëruar se numri i refugjatëve ukrainas mund të arrijë në katër milionë brenda pak ditëve të ardhshme.

16:25 – Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit: 1207 trupa janë mbledhur nga rrugët

Nënkryetari i bashkisë së portit jugor të rrethuar të Mariupolit thotë se nuk e di se sa njerëz janë vrarë në total në qytet, por shifra më e fundit është 1207.

Këto janë “vetëm trupa që kemi mbledhur në rrugë”, tha Sergei Orlov për BBC.

Ai tha se 47 persona ishin varrosur në një varr masiv pasi nuk ishte e mundur të arrihej në vendet e varrimit jashtë qytetit. “Jo të gjithë ata u identifikuan”, shtoi ai.

Orlov tha se nuk ka qenë e mundur të evakuohen njerëzit nga qyteti ose të sillen ndihma. Rreth 100 njerëz që përpiqeshin të iknin me makina private u detyruan të ktheheshin të mërkurën, tha ai, pasi forcat ruse në një pikë kontrolli filluan të qëllojnë “jo drejtpërdrejt në makina, por rreth makinave”.

16:18 – Kryqi i Kuq: Banorët e Mariupolit po sulmojnë njëri-tjetrin për ushqim

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq e ka përshkruar gjendjen në qytetin e Mariupolit në Ukrainë si shumë të rënduar.

Sasha Volkov nga ky Komitet ka thënë se qyteti ka mbetur pa ujë, energji elektrike dhe shërbime të internetit për ditë të tëra, për shkak të bombardimeve të vazhdueshme ruse.

Deri më tani kanë dështuar disa përpjekje për t’ua mundësuar banorëve të Mariupolit evakuimin, për shkak të thyerjes së armëpushimit nga ana e Rusisë.

Volkov ka thënë se njerëzit në Mariupol kanë filluar tani të sulmojnë edhe njëri-tjetrin për shkak të mungesës së ushqimit.

Sipas tij, ndonëse disa njerëz kanë ende rezerva të ushqimit, nuk dihet se edhe për sa kohë do t’u mbarojnë.

15: 18 – Ish-kancelari gjerman viziton sot Moskën

Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schroder ka vizituar Moskën sot për bisedime me presidentin Vladimir Putin, ka raportuar Politico.

Ai po e viziton me synimin për të zhvilluar bisedime ndërmjetësimi me Putinin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, thotë Politico, duke iu referuar burimeve.

14:52 – Gjysma e banorëve të Kievit janë larguar nga aty deri tash

Kryetari i Kievit, Vitali Klitscho, ka thënë se gjysma e popullatës në kryeqytet është larguar nga qyteti ndërsa forcat ruse avancojnë, raportoi AFP.

“Nga informacionet tona, një në dy banorët e Kievit është larguar nga qyteti. Pak më pak se 2 milionë njerëz tashmë janë larguar. Sidoqoftë, Kievi është transformuar në fortesë. Çdo rrugë, çdo ndërtesë, çdo pikëkalim, është fortifikuar”.

14:41 – OBSH-ja thotë se 24 institucione shëndetësore në Ukrainë janë sulmuar në dy javë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar të enjten se ka regjistruar 24 incidente të verifikuara të sulmeve ndaj institucioneve shëndetësore në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.

13:58 – Ushtria ukrainase thotë se e ka mposhtur një regjiment rus jashtë Kievit

Ushtria ukrainase pretendon se ka mposhtur një regjiment trupash ruse dhe ka eliminuar komandantin e saj, kolonelin A. Zakharov, në Brovary, që është në verilindje të Kievit, tha të enjten Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.

“Komandanti i regjimentit të pushtuesit, kolonel Zakharov, u likuidua. Gjatë betejës në rrethin Brovary të rajonit të Kievit, grupi taktik i batalionit (BTGr) i regjimentit të 6-të të tankeve (Chebarkul) të divizionit të 90-të të Komandës Qendrore pësoi humbje të konsiderueshme të personelit dhe pajisjeve”, tha ministria në Twitter.

CNN ka verifikuar videon e shpërndarë nga ministria e mbrojtjes që tregon një kolonë ushtarake ruse që sulmohet dhe tërhiqet.

Forcat e Armatosura të Ukrainës shpërndanë video të pasojave, të cilat tregonin një numër automjetesh të shkatërruara.

Forcat ruse po i afrohen Kievit nga verilindja dhe lindja në një përpjekje për të përfunduar rrethimin e kryeqytetit, por armët ukrainase antitank i kanë mbajtur ato deri tani.

13:28 – Lavrov nuk beson se do të ketë konflikt bërthamor

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pasi ka zhvilluar bisedime me homologun e tij ukrainas në Turqi ka folur për mundësinë e një lufte bërthamore.

Ai ka thënë “nuk besoj dhe nuk dua të besoj këtë”.

Lavrov tha se tema bërthamore ishte hedhur në diskutime vetëm nga Perëndimi për të cilin ai tha se vazhdoi t’i kthehej luftës bërthamore si Sigmund Freud, babai i psikanalizës.

“Sigurisht që na jep arsye për shqetësim ku Perëndimi, si Frojdi, vazhdon të kthehet në këtë temë”, tha ai.

Ka pasur frikë se nëse Rusia ka sukses në Ukrainë, vendet e tjera fqinje mund të jenë të radhës.

Lavrov tha se bisedat për një sulm të mundshëm rus kundër ish-shteteve baltike sovjetike – Lituania, Letonia dhe Estonia, tani të gjithë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s “duken si mashtrime të vjetra”.

13:15 – Gjermania dhe Franca kërkojnë armëpushim në telefonatën me Putinin

Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës kërkuan një “armëpushim të menjëhershëm” në Ukrainë gjatë një telefonate trepalëshe me presidentin rus Vladimir Putin të enjten, sipas Pallatit Elysee.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu “ngulën këmbë se çdo zgjidhje për krizën duhet të negociohet midis Rusisë dhe Ukrainës”, tha Elysée.

Të tre udhëheqësit thanë se do të mbeten në kontakt të ngushtë me njëri-tjetrin gjatë ditëve të ardhshme. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po takohen të enjten jashtë Parisit për të diskutuar mbi luftën në Ukrainë.

13:03 –  Ukraina po heton 38 raste të dyshuara të tradhtisë kundër zyrtarëve lokalë dhe oficerëve të zbatimit të ligjit të akuzuar për ndihmë ndaj Rusisë, ka thënë Byroja Shtetërore e Hetimit e Ukrainës.

Procedura kriminale kanë filluar kundër disa policëve në qytetet Mariupol dhe Kherson, raporton BBC.

“Ata kanë kryer tradhti nën kushtet e gjendjes ushtarake dhe kanë shkuar në anën e armikut”.

12:28 – Putin diskuton me telefon për luftën në Ukrainë me Macronin dhe Scholzin

Presidenti rus, Vladimir Putin ka diskutuar sërish situatën në Ukrainë sot me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz përmes telefonit, tha Kremlini.

Një zyrtar i qeverisë gjermane konfirmoi gjithashtu diskutimet, duke thënë se Scholz dhe Macron i bënë thirrje Putinit që të zbatojë menjëherë një armëpushim.

11:31 – Mariupol është nën sulm nga ajri, thotë këshilli i qytetit

Larg konferencës së Sergei Lavrov, këshilli i qytetit të Mariupolit po raporton se qyteti i rrethuar ukrainas është nën sulm nga ajri.

Kjo vjen pas ditëve të fundit të bombardimeve në qytetin port juglindor të Ukrainës.

11:27 – Lavrov: Ukrainasit po përdoren si mburoja njerëzore

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, duke folur për media pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba në Turqi, ka thënë se civilët ukrainas po përdoren si mburoja njerëzore nga forcat territoriale ukrainase.

11:05 – S’arrihet marrëveshja mes Ukrainës dhe Rusisë

Ukraina dhe Rusia nuk kanë bërë asnjë progres për armëpushim në bisedimet në Turqi, ka konfirmuar ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytryo Kuleba.

Kuleba ka thënë se nuk arritën marrëveshje me homologun e tij rus, Sergey Lavrov.

“Erdha këtu me një propozim humanitar, të largohesha nga takimi me një vendim për të rregulluar një korridor humanitar për dhe nga Mariupoli. Por nuk pati asgjë”, ka thënë Kuleba.

Por është dakorduar që të punohet për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjet humanitare në ditët në vijim.

Kuleba ka thënë se është i gatshëm të takohet sërish me Lavrovin “nëse do të ketë perspektiva për një zgjidhje”.

Ai shtoi se organizimi i një korridori humanitar nga Mariupoli dhe arritja e një armëpushimi 24-orësh janë dy prioritetet e bisedimeve. 

10:33 – Më shumë se 2.3 milionë njerëz e kanë lëshuar Ukrainën

Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se 2.3 milionë njerëz e kanë lëshuar Ukrainën.

Agjencia ka shtuar se 112.000 prej tyre që janë larguar janë nga shtetet tjera.

9:59 – Tre të vdekur në Mariupol pas bombardimit të spitalit të maternitet

Tre persona kanë vdekur pasi kishin marrë lëndime nga një sulm me bombë me një spital të maternitetit në Mariupol të enjten.

9:51 – Ukraina ka hapur shtatë korridore humanitare

Ukraina është duke hapur shtatë korridore humanitare të enjten për të ndihmuar civilët ta lënë vendin duke përfshirë edhe Mariupolin, ka thënë deputetja Iryna Vereshchuk.

9:40 – Nis takimi Rusi-Ukrainë

Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës janë duke u takuar për herë të parë që kur ka filluar pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe ai ukrainas, Dmytro Kuleva janë takuar në Antalya të Turqisë.

Zëdhënësi i Kremlinit ka thënë se ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës do të diskutojnë çështjen e një takimi mes Putinit dhe Zelenskyt. 

08:59 – Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës: Avancimi rus është ngadalësuar

Stafi i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës ka postuar raportin ditor, duke thënë se avancimi rus në Ukrainë është ngadalësuar.

Sipas raportit thuhet se avancimi në drejtim të Kievit është frenuar. Në lindje të Ukrainës, është thënë se forcat e mbrojtjes po arrijnë të mbrojnë qytetet si Kharkiv e Okhtyrka.

Në jug, mbrojtja e qytetit Mariupol po vazhdon.

Po ashtu është thënë se gjatë dy ditëve janë rrëzuar katër aeroplanë luftarakë rus Su-25 dhe dy helikopterë.

08:53 – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së bën thirrje për ndalje të luftës në Ukrainë

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka dënuar bombardimin e një spitali të fëmijëve dhe një reparti të maternitetit në Mariupol, duke e ka quajtur ngjarje të tmerrshme.

08:33 – Ministri i Jashtëm i Ukrainës takohet me atë turk

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba është takuar në mëngjesin e të enjtes me ministrin e jashtëm të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, në Antalya, raporton AP.

Takimi mes dy ministrave i ka paraprirë takimit me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov.

Turqia do të mbajë takim trepalësh sot, duke shpresuar për të arritur një armëpushim të përhershëm mes palëve.

Rusia ka nisur ofensivën në Ukrainë më 24 shkurt. 

08:25 – Katër të vdekur, përfshirë dy fëmijë, në bombardimet në afërsi të Kharkivit

Katër persona kanë vdekur, përfshirë dy fëmijë, gjatë bombardimeve në një kompleks banesor nga forcat ruse në afërsi të qytetit Kharkiv në natën e të mërkurës, ka njoftuar Shërbimi i Emergjencës së Ukrainës (SES).

Sulmi ka ndodhur në fshatin Slobozhanske, në juglindje të Ukrainës.

Nga Shërbimi është njoftuar se një vajzë pesëvjeçare u lëndua dhe u dërgua me urgjencë në spital.

Forcat e shpëtimit janë duke vazhduar kërkimet për të nxjerrë trupat nga rrënoja.

Po ashtu në një sulm tjetër, një qendër tregtare në zemër të Kharkivit është bombarduar. Nuk është raportuar për të vdekur në atë sulm.

 

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se “në total pothuajse 35,000 njerëz u shpëtuan” përmes korridoreve humanitare të krijuara të mërkurën.

“Sot ne ishim në gjendje të organizonim tre korridore humanitare: nga qyteti i Sumy, nga qyteti i Kievit dhe rajoni i Kievit, dhe nga Enerhodar”, tha ai, duke shtuar se përpjekjet do të vazhdojnë të enjten.

Zelensky tha se autoritetet ukrainase po përgatisnin gjashtë korridore humanitare për të larguar njerëzit nga zonat e sulmuara nga forcat ruse.

“Ne po lutemi që të mund të evakuojmë njerëzit nga Mariupol, nga Izium, nga Volnovakha, etj. për të evakuuar në vendet e sigurta të Ukrainës së lirë. Dhe jam i sigurt se çdo ukrainas që i njeh këta njerëz kanë nevojë për ndihmë, do të sigurohet që këta njerëz të ndihen të kujdesshëm”, tha ai.

Ndërsa disa rrugë ishin të suksesshme në evakuimin e njerëzve drejt sigurisë, të tjerat duhej të braktiseshin, raporton CNN.