Flirti i Mustafa Nanos me islamin dhe muslimanët

Shkruan: Fitim Nuhiu

Kohët e fundit, në emisionin do ta quaja provokativ të Mustafa Nanos – Arnautistan, kanë qenë mysafirë disa klerikë islam si edhe herë pas here nikoqiri i emisionit fton eksponentë fetar (besimtarë praktikant) që kanë një formim edhe intelektual dhe kjo gjë më pëlqen pamasë sepse kërkon ballafaqimin copëzave të së vërtetave duke u munduar të ndërtojë një dialog respekti të mirëfilltë pavarësisht mospajtimeve në parimet bazë, mirëpo Mustafa Nano insiston që këto palë duhet “gjetur” një rrugë të mesme, duke udhëhequr nga rregulli i famshëm që “komunikimi është gjithçka”.
Fillimisht duhet t’i jemi mirënjohës Mustafa Nanos që gjithmonë hap dyert për diskutim dhe shtjellim kësaj pjese të etiketuar (ndoshta edhe me të drejtë) të shoqërisë shqiptare, pavarësisht që edhe e sfidon veten e tij sepse është kritik dhe dyshimtar i rregjur kundrejt tyre e si pasojë duke përplasur idetë e kundërta dhe kërkimin e së vërtetës mes dy palëve që mendohet nga shumë opinionistë se s’mund të bashkëjetojnë nën të njejtin nënqiell.
Personalisht më pëlqen qasja që Mustafa Nano ka, pavarësisht që nuk respekton hierarkinë e disa vlerave dhe teorive shkencore se si të arrihet një konkluzion, por mbi të gjitha është për t’u analizuar qasja e tij kritike dhe provokuese, që nxit reagime, fton për diskutime idesh dhe motivon njerëzit e cilësdo palë që të mos anashkalohet një debat mirëfilli.
E pëlqen ta quaj veten ateist, duke e menduar si shumë njerëz sot – vlerë e shtuar e një intelektuali të pavarur të sotëm, por mendoj se brenda ateizmit të tij fshihet një dyshim (hutim) i madh që nuk e lë rehat pa mos i shtjelluar këto dyshime të tij me njerëz profesionistë (fetar), gjë që i duket sikur përplasja e tij me ta ia stabilizon dhe ngushëllon gjendjen e tij (emocionale).
Nëpër intervistat dhe prononcimet televizive të tij shpesh shprehet se unë jam kundër gjithë feve në përgjithësi, mirëpo qëllimi ku dëshiron të ndalet është tek islami dhe myslimanët, ku ta dimë, ndoshta edhe i bën më shumë përshtypje kjo fe dhe ia ka lakminë më shumë besimtarëve të kësaj feje, sepse t’ia analizosh pohimet e tij, dëshiron ta “reformoj” këtë fe në ca pika diskutabile (pozita e grave, qasja ndaj qafirave, etj) me një fjalë dëshiron që të iluminojë dhe të rilind këtë fe duke ia përshtatur vlerave të sotme europiane, gjë që ndoshta edhe ka të drejtë…
Ky flirt i tij me islamin dhe myslimanët sa më pëlqen aq edhe më shqetëson, më pëlqen që myslimanëve ia hap një derë diskutimi, shtjellimi dhe argumentimi karshi njerëzve laik (duke ia bërë të ditur që s’janë të vetëm në këtë shoqëri) dhe sikur i kthjellon qasjet e tyre dhe më shqetëson që “nisma” e tij shpërfaq një segment që shoqëria jonë nuk ka mekanizma dhe institucione që të merren me tematika sociale kaq të rëndësishme sa që të merren individë e gazetarë. Sidoqoftë, ai vazhdon ta bëj pjesën e tij me apo pa vetëdije, gjë që gjykoj se diskutime dhe përplasje idesh dhe qasjesh të tilla vetëm e ndihmojnë një shoqëri si kjo e jona që ka tendencën dhe vetëm di t’i forcojë rradhët e veta (pra diversiteti nuk pranohet edhe aq lehtë, pavarësisht nga cila palë) por që nuk di në asnjë mënyrë se si të flet e lëre më të bashkëjetojë me pjesën tjetër të shoqërisë, që nuk i takon.

22.05.2022
Shkup