Flasin për Lajm banorët e lagjes ku ndodhi vrasja e dyfishtë: Rruga jonë është më e qeta në Çair! (Video)

Këto janë gjurmët e gjakut, në këndin ku rruga numër pesë bashkohet me bulevardin Makedonska-Kosovska Brigada, në afërsi të pompës së benzinës “Mak Petrol” në Lagjen e Fushë Topanës ku ka ndodhur një përleshje e armatosur me ç’rast dy persona kanë mbetur të vrarë.
Burime nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se dy viktimat janë Afrim Berisha dhe Burim Vardar, të cilët janë qëlluar në makinë. Forca të shumta policore kanë dalur menjëherë në vendngjarje, rreth orës tre pas mesnate për të hetuar rastin. Tani për tani nuk dihen motivet e përleshjes. Ministria e Brendshme gjatë ditës pritet të del me detaje rreth këtij incidenti të armatosur. Banorët e kësaj lagje nuk flasin para kamerave. Të gjithë ndiejnë dhimbje për dy djemt e rinj në moshë 25 dhe 28 vjeçare. Disa prej tyre kanë dëgjuar krismat, por deri sa kanë dalë në rrugë, thonë se vendi është bllokuar nga policia. Dy viktimat nuk i njohin sepse nuk janë nga kjo lagje. Për lagjen e tyre thonë se është e qetë. “Asnjëherë nuk ka ndodhur diçka e tillë. Prej vitit 1965 familja ime jeton këtu dhe mund të them se është rruga më e qetë në Çair”, tha për Lajm Tv një 45 vjeçar i lagjes, duke folur pas kamerave. Informacionet e para flasin se në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të dy lloje të armëve, një pushkë automatike dhe një revole.