Flamuri i BE-së hyri në Parlamentin e Ukrainës

Flamuri i Bashkimit Evropian u vendos simbolikisht në sallën e Parlamentit ukrainas, ndërsa kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen mbajti fjalim përmes video-lidhjes për nder të statusit kandidat të Ukrainës për hyrje në BE.

“Ukraina është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – diçka që dukej pothuajse e paimagjinueshme vetëm pesë muaj më parë. Epo, sot është momenti për të festuar këtë pikë kthese historike, një fitore vendosmërie dhe një fitore për tërë lëvizjen që filloi tetë vjet më parë në Majdan”, deklaroi Fon der Lajen, raporton Skaj Njuz.

Ajo i bëri thirrje Ukrainës që të përshpejtojë reformat në fushën e luftës kundër korrupsionit, duke e siguruar vendin për mbështetjen e 27 anëtarëve në “rrugën e gjatë” drejt anëtarësimit në BE.

Përparimi i Ukrainës është vlerësuar gjithashtu, derisa në vend po zhvillohen luftimet që nga 24 shkurti, kur filloi pushtimi rus.

Mediat komentojnë se procesi për hyrjen në BE pritet të zgjasë disa vite.