Fjalimi i Ramës, Kurti: Nuk e kam dëgjuar, kam pasur agjendë të ngjeshur

Përkundër se fjalimi i sotshëm i kryeministrit shqiptar, Edi Rama në asamblenë e Këshillit të Evropës është bërë senzacion, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk e ka dëgjuar.

Ai ka thënë se nuk mund ta komentojë fjalimin e Ramës kur është pyetur sot në një konferencë për gazetarët, raporton Gazeta Express.

Pamundësinë për ta dëgjuar, ia ka shkaktuar agjenda e ngjeshur, ka thënë ai.

“Nuk di a kam kontribuar në fjalimin e Edi Ramnës, sepse nuk e kam dëgjuar. Kam qenë në Pejë sot dhe tërë ditën nëpër takime të ndryshme e në mbrëmje vonë përpiqem që të updatohem”, tha ai.

Fjalimi i Ramës ka shkaktuar reagime të shumta. Mes shqiptarëve kryesisht lëvdata, ndërsa mes politikanëve serbë kryesisht kritika, e madje te disa edhe “tronditje”.

Kryeministri Edi Rama, ka nisur fjalimin në Këshillin e Evropës, duke kërkuar rishikimin e Rezolutës 1782 (të miratuar në vitin 2011) për raportin e Dick Marty, dhe të shpallë të pabazuara akuzat e tij për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Rama e nisi fjalën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës duke theksuar se çështja duhet të kthehet nga histori konflikti në histori bashkëpunimi, nën udhëheqjen e institucioneve ndërkombëtare.

Ai u shpreh se e vetmja shpresë për të ardhmen është rivendosja e besimit në institucionet ndërkombëtare, duke thënë se faktet nuk duhet më të cenohen nga lojërat e pushtetit.

“Ju jam mirënjohës për mundësinë për tju drejtuar kësaj asambleje për një çështje thelbësore të drejtësisë. Unë përfaqësoj Shqipërinë, por nuk kam ardhur këtu të flas vetëm për të. Tema e shqetësimit që dua të ndaj me ju lidhet me Shqipërinë si trupi me shpirtin.Ajo që do them lidhet me rolin që Europa dhe institucionet luajnë sesi i zhvillojnë këto marrëdhënie. Ta kthesh një histori konflikti në një histori bashkëpunimi kërkon një besim tek institucionet ndërkombëtare. Marrëdhëniet tona me njëri tjetrin ndërmjetësohen nga institucionet ndërkombëtare. Dëmi shkon shumë larg, përtej tragjedive individuale”, ka deklaruar Rama. /GazetaExpress