Fitoi të drejtën për një mandat të katërt, Ceferin befason duke thënë se nuk do të kandidojë më për president të UEFA-s

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, edhe pse ka tashmë të drejtë të kandidojë për një mandat të ri, ai ka thënë se në vitin 2027 nuk do të kandidojë.  

Në fund të vitit të kaluar, Ceferin filloi të kërkonte ndryshime në statutet e UEFA-s që do t’i lejonin atij një mandat të katërt në krye të ombrellës së Federatës Evropiane të Futbollit.

Mandati aktual i sllovenit si president i UEFA-s duhej të skadonte në vitin 2027 dhe sipas statutit, ai nuk mund të kandidonte më për postin, domethënë nuk mund të ishte në pushtet për më shumë se 12 vjet.

Sot është votuar propozimi i tij për mandatin e katërt, por ai ka njoftuar se nuk do të qëndrojë.

“Është vendosur që mund të mbetem president deri në vitin 2031, por nuk dua. Jam lodhur duke luftuar coronavirusin, dy luftëra, kuazi Superliga dhe autoritete të vetëshpallura morale që janë morale vetëm për aq kohë sa nuk ka të bëjë me interesat e tyre personale”.

 

“Me këtë propozim doja të shihja fytyrën e vërtetë të disa njerëzve dhe e pashë”, ka thënë Ceferin, duke aluduar për Zvonimir Boban, i cili ishte krahu i tij i djathtë në UEFA, por që u largua nga kjo organizatë.