Filloi vizita zyrtare e presidentit zviceran në Maqedoninë e Veriut, u prit me nderime të larta shtetërore

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti presidentin zviceran Guy Parmelan, i cili ndodhet sot për vizitë zyrtare në vend, në një ceremoni me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, transmeton Portalb.mk.

Presidentët zhvilluan takim kokë më kokë, i pasuar nga një takim plenar i delegacioneve të Maqedonisë dhe Zvicrës.

Bisedat u përqendruan në marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe, me bashkëpunimin tre-dekadësh të vlerësuar si miqësor dhe të frytshëm.

Presidentja falënderoi presidentin zviceran për mbështetjen e tij të vazhdueshme të integrimit evropian të Maqedonisë, si dhe për donacionet e shumta dhe të vlefshme në fusha kyçe si: sundimi i ligjit, forcimi i institucioneve demokratike, kalimi në energji të gjelbër dhe të rinovueshme dhe mbrojtja e burimeve natyrore, veçanërisht ujit.

Ajo shprehu kënaqësi për realizimin e kësaj vizite të parë historike zyrtare të një presidenti zviceran në vend, e cila konfirmoi partneritetin midis dy vendeve.