Filloi paraqitja e dëmeve nga zjarri në “Global”

Pronarët dhe shfrytëzuesit e objekteve afariste, të cilët pësuan dëme nga zjarri në Qendrën tregtare “Global”, filluan t’i parashtrojnë kërkesat për ndihmë financiare në Komisionin komunal për vlerësim të dëmeve nga fatkeqësi elementare dhe të tjera.

Sipas Aco Gjorgiev, kryetar i komisionit, deri më tani janë parashtruar dhjetë kërkesa.

“Sipas metodologjisë së vetme për vlerësim të dëmeve nga fatkeqësi elementare dhe të tjera, personat juridikë vetë e vlerësojnë dëmin, duke formuar komision të vet. Formularët e plotësuar i parashtrojnë në Komisionin komunal, i cili si raport përmbledhës e parashtron në Këshillin e Komunës së Strumicës dhe pas miratimit të tij do të parashtrohet në Komisionin republikan për vlerësim të dëmeve, ndërsa do të jepet për shqyrtim edhe në Byronë për ekspertizë gjyqësore”, sqaron Gjorgiev.

Shton se në periudhën e ardhshme pritet rritje e numrit të paraqitësve dhe pasi të parashtrohen të gjitha kërkesat Komisioni komunal do t’i sublimojë në raport të përbashkët për dëmin.

Pas zjarrit, Komuna e Strumicës ua lëshoi një hapësirë në ndërtesën komunale pronarëve dhe shfrytëzuesve, ku së bashku me anëtarët e Komisionit komunal saktë dhe me kohë mund t’i plotësojnë formularët.

Gjatë zjarrit, i cili shpërtheu natën e 2 janarit, është djegur një pjesë e madhe e Tregut të qytetit, shumë shitore në katin përdhesë dhe katin e parë, një pjesë e katit të dytë dhe të tretë, ndërkaq është rrënuar edhe një pjesë e kulmit.